Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen tragjike të qytetarit nga Klina e Poshtme, Pajtim Bajrami, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku tha se kjo humbje e rëndë prek jo vetëm familjen, por edhe gjithë ata që e njohën, duke lënë një boshllëk të madh te të afërmit e të ndjerit.
Ai shprehu ngushëllime edhe për familjet e tre bashkëkombasve të tjerë që humbën jetën në të njëjtin incident.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëkombasit tonë, Pajtim Bajrami nga Klina e Poshtme, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë. Kjo humbje e rëndë na prek të gjithëve duke lënë pas një boshllëk të madh në familje, shoqëri dhe te të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta i shpreh familjes Bajrami, si dhe familjeve të tre bashkëkombasve të tjerë që humbën jetën po në këtë tragjedi. Ndajmë dhimbjen me ju në këto momente të rënda”, shkroi Lushtaku.
