Lëvizja VETËVENDOSJE ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke kritikuar ashpër themelimin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale.
Në një deklaratë të publikuar të premten, VV-ja e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës si “dëmin më të madh” ndaj historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
Sipas kësaj partie, krijimi i gjykatës ka vendosur një rend të veçantë gjyqësor me fokus ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa Serbia dhe përgjegjësit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë kanë mbetur jashtë këtij procesi.
VV-ja ka kritikuar edhe mënyrën se si sipas saj, është krijuar kjo gjykatë, duke pretenduar se zanafilla e saj ka qenë politike. Në deklaratë përmendet edhe raporti i Dick Martyt dhe pretendimet për trafikim organesh, të cilat, sipas VV-së, shërbyen për të dëmtuar imazhin e luftës së UÇK-së.
Lëvizja VETËVENDOSJE ka deklaruar gjithashtu se deputetët që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë atë si gabim dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.
“Përgjegjësia penale është individuale. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë”, thuhet në deklaratë.
Në fund, VV-ja ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin e 12 shtatorit, duke thënë se marshimi do të jetë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe në mbështetje të “lirisë, drejtësisë dhe të vërtetës së luftës çlirimtare”./teve1.info/
