Për dekada me radhë, macja e egër evropiane u konsiderua e zhdukur në shumë zona të kontinentit.
Një specie aq e fshehtë dhe e pakapshme, sa prania e saj mbeti për një kohë të gjatë thjesht hipotezë shkencore. Sot, falë kamerave kurth, fotografëve të natyrës dhe metodave të reja kërkimore, kjo “mace fantazmë” po rikthehet në fokusin e studimeve shkencore, për shkak të shfaqjes së saj nëpër pyjet e Evropës.
Në vitin 2020 fotografi i natyrës Vladimír Čech Jr, po ecte në borë në një zonë ushtarake të izoluar në malet Doupov, në Republikën Çeke. Qëllimi i tij ishte ambicioz: të fotografonte macen e egër evropiane (Felis silvestris), një specie aq e rrallë dhe misterioze, sa ishte konsideruar e zhdukur nga vendi që në shekullin XX.
“Macja e egër është një krijesë e rrallë, që jeton një jetë plot enigma”, shpjegon Čech. Ajo i ngjan një maceje shtëpiake me vija, por është më e fuqishme, me bisht më të trashë dhe me një model gëzofi karakteristik.
Edhe pse në fund të viteve 2010 prania e saj në malet Doupov ishte dokumentuar nga kamera të thjeshta monitorimi, askush nuk kishte arritur të realizonte imazhe cilësore. Situata nuk ishte e ndryshme as në vende të tjera evropiane, ku macja e egër kishte mbijetuar në heshtje, ndoshta falë sjelljes së saj jashtëzakonisht të fshehtë, ndryshe nga specie të tjera grabitqare, si rrëqebulli, që u zhdukën për shkak të gjuetisë.

Sot vlerësohet se rreth 140 mijë mace të egra evropiane jetojnë në mbi 24 shtete, megjithëse shifrat mbeten të pasigurta. Në disa vende ku konsiderohej e zhdukur, si Austria, kamera kurth dhe analizat gjenetike kanë provuar të kundërtën.
“Quhet ‘fantazma e pyjeve’ sepse është jashtëzakonisht e vështirë për t’u parë dhe e paparashikueshme”, thotë për BBC, biologu dhe fotografi italian Andrea De Giovanni. Në vitin 2020, ai arriti të filmonte një mace të egër në Chiapporato, një fshat i braktisur në Apeninet italiane. Sipas tij, ndryshe nga kafshë të tjera që ndjekin shtigje të përcaktuara, “macja e egër shkon ku të dojë”.
De Giovanni nuk kishte planifikuar kurrë të filmonte këtë specie. Kamera e fshehtë ishte vendosur për ujqër ose drerë. Vetëm pasi pa pamjet dhe i dërgoi për verifikim te shkencëtarët, u konfirmua se bëhej fjalë për një mace të egër.
Fshati Chiapporato, i arritshëm vetëm në këmbë, është një vend i mbushur me gjurmë të jetës së dikurshme njerëzore, shtëpi të rrënuara, sende të harruara dhe fletore shkollore nga vitet 1950. Sot, siç shpjegon De Giovanni, natyra po e “rimerr” këtë hapësirë. Me largimin e njerëzve, janë kthyer edhe grabitqarët.
Edhe në Republikën Çeke, historia e maces së egër është e lidhur me zhdukjen dhe rikthimin.
Sipas zoologes Jarmila Krojerová nga Akademia Çeke e Shkencave, deri në shekullin XVIII macja e egër ishte e përhapur në gjithë territorin e vendit. Përndjekja intensive dhe ndryshimet e peizazhit çuan në zhdukjen e saj. Rasti i fundit i konfirmuar ishte një individ i vrarë në vitin 1952. Vetëm në vitin 2011 u dokumentua sërish prania e saj, rastësisht, nga një kamerë e vendosur për rrëqebujt.

Me lejen e ushtrisë, Čech dhe eksperti Jiří Sochor ndërtuan edhe kurthe fotografike artizanale, duke krijuar, siç thotë ai, “një studio fotografike në mes të pyllit”. Këto pamje, sipas Krojerová-s, kanë një vlerë të jashtëzakonshme për ndërgjegjësimin publik dhe mbrojtjen e biodiversitetit.
Studimi i kësaj specieje mbetet i vështirë. Ngjashmëria me macet shtëpiake shpesh çon në keqidentifikim. Në Itali, eksperti Andrea Sforzi drejton një bazë të dhënash me rreth 1 mijë e 600 foto dhe video të maces së egër, të mbledhura nga studiues dhe qytetarë. Ai thekson se në disa zona, sidomos në Apeninet veriore, specie po zgjerohet falë ligjeve të mbrojtjes së natyrës që nga fundi i shekullit XX.
Megjithatë, rreziku i kryqëzimit me macet shtëpiake mbetet serioz, pasi krijon hibride dhe rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjeve. Identifikimi i pastër kërkon analiza gjenetike, të cilat janë të vështira për t’u realizuar, pasi macet e egra rrallë lënë qime të përdorshme për ADN.
Në vitin 2025, studiuesit çekë shënuan një tjetër hap të rëndësishëm: kapjen e parë të një mashkulli mace të egër dhe pajisjen e tij me një jakë GPS. Të dhënat kanë treguar se territori i tyre është shumë më i gjerë nga sa mendohej dhe se macja e egër nuk është vetëm specie pylli, por varet nga një mozaik peizazhesh: pyje, livadhe dhe kullota.
Rikthimi i kësaj specieje, është një histori që ndërthur shkencën, fotografinë dhe ndryshimet shoqërore. Ndërsa njerëzit largohen nga zonat malore, natyra po gjen sërish hapësirë. Dhe në heshtje, pa zhurmë, “kjo krijesë e vogël misterioze” po kthehet në pyjet e Evropës.


