ShowBizzz

Majlinda Kelmendi: Gjithnjë e kam ditur se do të bëhem më e mira në botë

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) ka publikuar një shkrim kushtuar kampiones olimpike kosovare, Majlinda Kelmendi.

IJF tash e sa kohë është duke shkruar për kampionët olimpikë në xhudo, ndërsa tashmë radha ishte për Majlindën. Ajo është kampionia e 12-të që është prezantuar, teksa para saj IJF kishte publikuar shkrime edhe për Nora Gjakovën.

Majlinda ka rrëfyer për vetëbesimin që kishte, duke deklaruar se e kishte ditur që do të bëhej më e mira në botë.

“Mendoj se jam bërë kampione olimpike për shkak të karakterit tim. Tingëllon e çmendur dhe ndoshta edhe budallallëk, por unë që nga mosha 12-vjeçare e kam ditur se do të jem më e mira në botë. Në atë kohë Kosova as që ishte shtet. Kam punuar vërtet shumë dhe si 15-vjeçare, kur isha kadete, kam luftuar te senioret.

Në vitin 2009 unë jam bërë kampione e botës dhe e Evropës për juniore. Evropiani në Armeni ishte gara e parë e imja e Kosovën si shtet. Prej atëherë i kam thënë vetes ‘unë jam më e mira në botë’ dhe se vetëm duhet ta shfaq këtë. Më janë dashur edhe katër vjet për të fituar medaljen te seniorët, por në kokën time unë isha më e mira”, ka thënë Majlinda për IJF.

Në vitin 2013, Majlinda fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror në Rio të Brazilit. Kështu synimet e Majlindës u rritën. Ajo tani synonte të ishte më e mira në të gjitha kategoritë, jo vetëm në atë deri 52 kg. Këtë edhe e arriti duke dalë në vendin e parë në ranglistën botërore në të gjitha kategoritë.

“E di që kam ushtruar si e çmendur dhe me shumë mundësi më tepër se të gjithë të tjerët”, thotë Majlinda Kelmendi.

Në vitin 2015 ajo u sfidua nga një problem serioz shëndetësor.

“Kam fituar botërorët, evropianët dhe çdo gjë tjetër. Por në vitin 2015 kam pasur herni diskale dhe më është thënë nga mjeku që duhet të ndalem apo do të paralizohem. Dora ime e majtë tashmë ishte e bllokuar dhe kështu më duhej të vendosja të ndalem apo të vazhdoja dhe të rrezikoja të gjitha. Kam vendosur të vazhdojë, ndonëse ka mundur të ketë pasoja katastrofale. Më është dashur të vazhdoj. Fizikisht isha keq, por mentalisht isha ende e fortë. Me dorën e majtë as në 50 për qind të nivelit, e kam ditur se e kam dorën tjetër dhe e kam ditur se medalja e artë olimpike ishte aty për t’u fituar nga unë”, ka treguar Majlinda.

Majlinda garoi edhe në Tokio në vitin 2021, por u ndal në luftën e parë. Thotë se në aspektin fizik ishte shumë mirë, por jo edhe mentalisht. Thekson se gjërat ishin krejt ndryshe prej ciklit të mëparshëm. Thotë se me gjendjen që kishte në vitin 2016 e ka ditur se mund ta fitojë të artën olimpike edhe me vetëm një dorë.

“Prej kur isha fëmijë e kam pasur mentalitetin fitues. Kam menduar se nëse nuk mund t’i rrëzoj, mund t’i godas apo t’i mbaj, nëse shprehem figurativisht. Trajneri më ka ndihmuar të jem e këtillë. Ai më ka ndihmuar të besoj në aftësitë e mia. Isha tetëvjeçare kur nisa me xhudo në Pejë. Mendoj se trajneri mund t’u bëjë fituese në kokën tuaj. Trajnerët janë shumë të rëndësishëm për mentalitetin e sportistit. Për mua ishte gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Majlinda.

Ajo ka folur edhe për sfidat që i kishte si sportiste e Kosovës.

“Të vij prej vendit prej nga jam dhe të jem një kampione e tillë është diçka e veçantë. Ndoshta kur isha shumë e re, unë vetëm kam ushtruar dhe kam garuar. Nuk i kisha të formuluara këto synimet e mëdha. Por mentaliteti im ishte tashmë aty. Nuk ishim në EJU, në IOC, nuk ishim shtet. Si ishte e mundur të përparojmë? Kuka gjithnjë më ka thënë se ka kohë dhe se do t’ia dalim. Ai kishte të drejtë”.

Kur Majlinda filloi me rezultate, e ardhmja i dukej vetëm ëndërr. Por Kosova tashmë është në të gjitha organizatat. Ajo thotë se nuk do t’ia falte vetes nëse nuk do të ishte e para. Thotë se ka sakrifikuar shumë për të prezantuar Kosovën në Lojërat Olimpike dhe se ai ishte moment i madh jo vetëm për sportin, por për shtetin në përgjithësi.

Pas “Rio 2016”, Majlinda është lodhur mentalisht dhe fizikisht dhe për të bëhej gjithnjë e më e vështirë. Ka pasur lëndime të shumta. Kishte shumë presion dhe kishte vazhdimisht dhembje e stres.

“Nuk kam dashur ta dëshpëroj askënd në Tokio dhe kam menduar se ndoshta përvoja e gjatë që kam do të kryejë punë. Por mendoj se nëse nuk jemi mirë në kokë, atëherë asgjë nuk mund të funksionojë”, ka thënë Majlinda.

Ajo tregon se nuk ka pasur pushime me familjen prej moshës 12-vjeçare. Edhe pas kampionateve botërore, ka vazhduar me xhudo pas një jave.

“Nuk e kam shijuar karrierën aq shumë. Kur shikoj prapa, mendoj se është dashur ta shijoj më shumë. E kam pasur një muaj të lirë pas Lojërave Olimpike, por unë jam kthyer pas dy javësh. Nëse stërvitja ka filluar në 10:00, unë kam filluar në 8:30. E kam tej ngarkuar trupin tim. Por do të bëja sërish të njëjtën. E kam shijuar ndjenjën kur nuk kam mundur të ngopem frymë. Është vështirë të ushtrosh, por edhe më vështirë të humbësh. Nuk kam dashur asnjëherë ta kem atë ndjenjë”.

Majlinda thekson se sportisti duhet të jetë më i fortë se ndjenjat e tij për të menaxhuar ato. Thotë se edhe kampionët olimpikë kanë stres.

“Nga jashtë jam dukur si robot, por brenda të gjithë i kemi këto ndjenja. Ndoshta ishte mentaliteti im fitues që gjithnjë më ka dërguar para. Ka të bëjë me atë që isha, me atë që jam ende”.