Nëse vuani nga çrregullime gastrointestinale si sindroma e zorrës së irrituar apo sëmundjet inflamatore të zorrëve, apo edhe nëse keni një stomak të ndjeshëm, me shumë gjasë e dini se cilat ushqime mund të përkeqësojnë simptomat dhe cilat janë më të sigurta. Dy ushqime që shpesh konsiderohen të lehta për tretje janë makaronat dhe orizi. Por cili prej tyre është më i butë për sistemin tretës?
Si ndikojnë makaronat në tretje
Makaronat e zakonshme janë përgjithësisht të lehta për t’u tretur, sidomos kur gatuhen siç duhet. Ato përbëhen kryesisht nga niseshte, të cilën organizmi e përpunon relativisht lehtë.
Gatimi “al dente” – pra kur makaronat janë të buta, por jo të ziera plotësisht – konsiderohet më i favorshëm. Kjo formë ka indeks glicemik më të ulët, që do të thotë se tretet më ngadalë dhe ka ndikim më të butë si në sistemin tretës ashtu edhe në nivelin e sheqerit në gjak.
Megjithatë, llojet e ndryshme të makaronave ndikojnë ndryshe. Makaronat integrale, apo ato me bazë bishtajore si thjerrëzat apo fasulet, përmbajnë më shumë fibra dhe mund të jenë më të vështira për t’u tretur, duke shkaktuar fryrje apo parehati tek disa persona.
Personat me sëmundje celiake ose ndjeshmëri ndaj glutenit duhet të shmangin makaronat tradicionale të grurit, pasi ato mund të shkaktojnë simptoma të pakëndshme.
Si ndikon orizi në tretje
Orizi i bardhë konsiderohet një nga ushqimet më të lehta për sistemin tretës. Ai ka pak fibra dhe përbëhet kryesisht nga niseshte, duke e bërë një zgjedhje ideale në rastet e shqetësimeve si diarreja, të përzierat apo infeksionet e stomakut.
Madje, orizi është pjesë e dietës së njohur BRAT (banane, oriz, salcë molle, tost), e cila rekomandohet shpesh për qetësimin e stomakut. Studimet sugjerojnë gjithashtu se një dietë e bazuar në oriz mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit të zorrëve tek personat me kapsllëk.
Nga ana tjetër, orizi kaf është më i pasur me fibra dhe lëndë ushqyese, por mund të jetë më i vështirë për t’u tretur për disa persona. Orizi i bardhë, në variantet e tij si basmati apo jasemini, mbetet zgjedhja më e lehtë për stomakun.
Cili është më i lehtë për tretje?
Ekspertët e gastroenterologjisë theksojnë se në afat të shkurtër, orizi i bardhë është zakonisht më i lehtë për sistemin tretës, sidomos kur jeni të sëmurë apo keni shqetësime gastrointestinale. Megjithatë, edhe makaronat e thjeshta mund të konsumohen pa problem nëse janë të gatuara mirë.
Nëse jeni në gjendje të mirë shëndetësore, rekomandohet përfshirja edhe e varianteve integrale si makaronat e grurit të plotë dhe orizi kaf, pasi ato përmbajnë fibra që ndihmojnë në shëndetin afatgjatë të sistemit tretës.
Në fund, ajo që ka më shumë rëndësi është një dietë e balancuar që përfshin perime, fruta, proteina dhe yndyrna të shëndetshme. Në këtë mënyrë, si makaronat ashtu edhe orizi mund të jenë pjesë e një ushqyerjeje të shëndetshme./ Gazeta shendeti
