Historia mban mend fjalët “Edhe ti, Brut?” duke iu referuar Mark Juni Brutit, por e vërteta është se komploti i 15 Marsit të vitit 44 p.e.s. rrezikoi të dështonte që pa nisur mirë. Njeriu që e shpëtoi planin dhe që e çoi Cezarin drejt vdekjes nuk ishte armiku i tij, por një nga miqtë dhe gjeneralët e tij më të besuar: Decimus Juni Bruti (një kushëri i largët i Mark Brutit).
Manipulimi i fundit psikologjik
Mëngjesin e Idesë së Marsit, komplotistët ishin në panik. Cezari kishte vendosur të mos shkonte në Senat. Ai nuk ndihej mirë fizikisht dhe bashkëshortja e tij, Kalpurnia, ishte zgjuar e tmerruar nga një makth ku e shihte burrin e saj të mbuluar me gjak. Për më tepër, priftërinjtë kishin bërë flijime kafshësh dhe kishin lexuar shenja ogurzeza.
Për të mos lejuar dështimin e planit, te shtëpia e Cezarit u dërgua Decimus Bruti. Ai e njihte aq mirë diktatorin, saqë vendosi të luante me egon e tij. Decimusi e pyeti Cezarin me ironi nëse ai, njeriu më i fuqishëm i botës, do t’i dërgonte fjalë Senatit të Romës që të pezullonte mbledhjen derisa “gruaja e tij të shihte ëndrra më të mira”. Duke i kujtuar se Senati ishte mbledhur për t’i dhënë titullin e mbretit në provincat jashtë Italisë, Decimusi e bindi Cezarin të dilte nga shtëpia, duke e mbajtur madje për dore rrugës për në Teatrin e Pompeut. Tradhtia ishte aq e thellë, saqë kur pas vdekjes u lexua testamenti i Cezarit, Decimusi ishte emëruar si një nga trashëgimtarët e tij të dorës së dytë.
Sinjali i sulmit dhe “autopsia” e parë në histori
Vetë momenti i vrasjes nuk ishte një sulm i çrregullt, por një skenar i koreografuar me detaje.
Sinjali i Tilius Cimberit
Sapo Cezari u ul, senatori Tilius Cimber u afrua për t’i kërkuar falje për vëllanë e tij të mërguar. Kur Cezari e refuzoi dhe i bëri me shenjë të largohej, Cimber i kapi togën nga supet dhe ia tërhoqi poshtë në qafë. Ky ishte sinjali për të tjerët. Cezari i befasuar thirri: “Ista quidem vis est!” (Kjo është dhunë!).
Goditja e parë e pasaktë
Senatori Publius Servilius Kaska ishte caktuar të godiste i pari. Nga stresi dhe frika, goditja e tij me kamë nuk e kapi Cezarin në qafë, por në shpatull. Cezari, i cili ishte ende një ushtarak i stërvitur, u kthye me shpejtësi, e kapi Kaskën për krahu dhe e shpoi me majën e stilusit të tij (stilolapsi i hekurt i asaj kohe).

Vdekja mes 23 plagëve
Pas goditjes së Kaskës, dhjetëra senatorë u vërsulën mbi të me kamat e fshehura. Në kaosin e krijuar, komplotistët plagosën edhe njëri-tjetrin.
Një nga detajet më interesante mjeko-ligjore vjen nga mjeku i tij personal, Antistius, i cili ekzaminoi trupin e pajetë të diktatorit më vonë atë ditë. Sipas raportit të tij – që konsiderohet si një nga autopsitë e para të regjistruara në histori – nga 23 plagët e marra nga Cezari, vetëm njëra ishte vdekjeprurëse: goditja e dytë që kishte marrë në gjoks. Të gjitha të tjerat kishin qenë sipërfaqësore.
Ironia tragjike, lindja e Perandorisë
Komplotistët marshuan drejt Kapitolit duke thirrur se kishin vrarë një tiran dhe kishin rikthyer lirinë. Por populli i Romës, i cili e adhuronte Cezarin, nuk i priti si heronj.
Ironia tragjike e Idesë së Marsit është se kjo vrasje nuk e shpëtoi Republikën, siç kishin shpresuar “çlirimtarët”. Përkundrazi, ajo provokoi një zbrazëti pushteti që e zhyti Romën në gati dy dekada luftëra civile të përgjakshme. Në fund të këtij kaosi, nipi dhe trashëgimtari i birësuar i Cezarit, Oktaviani, triumfoi mbi të gjithë rivalët. Ai mori titullin August dhe u bë Perandori i parë i Romës, duke shënuar vdekjen e pakthyeshme të Republikës që senatorët u përpoqën ta ruanin me gjak atë 15 Mars.
