Lajme

Maloku: E pakuptueshme mbrojtja që i bëri Kurti veprimeve negative të Mickoskit

Politologu, Albinot Maloku ka thënë se ka qenë e pakuptueshme mbrojtja që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë të gjitha veprimeve negative që ka marrë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Maloku duke folur për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e mbajtur të hënën në Prishtinë, tha se nuk ka pasë ndonjë marrëveshje të re, ndonëse e ka vlerësuar si të rëndësishëm bashkëpunimin me vendet e rajonit.

“Nuk e kuptoj pse ishte një zell aq i madh për t’i dal në mbrojte të gjitha veprimeve negative që i ka ndërmarrë qeveria e Mickoskit”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata”.

Maloku duke folur për përbërjen e qeverisë maqedonase ka thënë se në aspektin gjeopolitik të rajonit është një koalicion ndërmjet Kurtit, Vuçiqit dhe Mickoskit

“Pushteti aktual në Maqedoninë e Veriut në rrafshin gjeopolitik të rajonit, mund të thuhet se ka një koalicion, kryeministri Kurti, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Mickofski, për arsye të ndikim të drejtpërdrejtë që kanë në qeverinë aktuale”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti të hënën në konferencën e përbashkët me homologun nga Maqedonia, kur është pyetur për çështjen e gjuhës shqipe dhe përdorimin e saj në këtë shtet, tha se pret vendim të drejtë dhe jodiskriminues nga Gjykata Kushtetuese.

Ai tha se gjuha shqipe nuk ka qenë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Kjo deklaratë ngjalli reagime të mëdha.