Lajme

Maloku: Kushtet e Kurtit për dialogun me Serbinë nuk kanë mbështetje ndërkombëtare

Politologu, Albinot Maloku ka vlerësuar se disa nga kushtet që ka vendosur kryeministri Albin Kurti lidhur me dialogun me Serbinë nuk gëzojnë mbështetje të mjaftueshme nga faktori ndërkombëtar.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Maloku ka theksuar se kushti më i rëndësishëm për Kosovën, në rast të zbatimit, është dorëzimi i kriminelit të dënuar Milan Radoiçiç te organet e drejtësisë së Kosovës.

“Disa kushte që i ka vendosur Kurti për mua janë të shkëlqyeshme, mirëpo nuk kanë mbështetje nga faktori ndërkombëtar. Pesha më e madhe e kushtit më të mirë që mund t’i ndodhë Kosovës, nëse jetësohet, është dorëzimi i Radoiçiçit te organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë, konsideroj se Serbia, duke pasur parasysh praktikat e saj të mëparshme, sidomos rastet Karagjiq dhe Mladiç do të përpiqet ta shfrytëzojë këtë si kapital për veprime të tjera”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i bindur se kryenegociatori i Kosovës, Glauk Konjufca do të sjellë një qasje më të mirë në dialog me Serbinë.

“Mendoj se Glauk Konjufca në çështjen e dialogut mund të ketë një shkëlqim të mirë për shkak të natyrës së tij si zbutës i shumë situatave. Besoj se ai do të jetë dora që do t’i shlyej disa premtime të mëdha të kryeministrit Kurti para opinionit publik”, ka theksuar Maloku.

Ndryshe, në takimin e fundit me emisarin e Bashkimit Evropian, Peter Sorensen , për dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti ka rikujtuar kushtet që kishte paraqitur më parë për rifillimin e bisedimeve.

Sipas komunikatës për media, Kurti ka theksuar se janë të rëndësishme: tërheqja e letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq, dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq, si dhe nënshkrimi I Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit./teve1.info/

Të Ngjashme