Gjykata e Posaçme ka dënuar tre ish-zyrtarët Zenel Çelën, Ramiz Bardhin dhe Rexhep Ismajlisufajn, të cilët u morën të pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në prill të këtij viti për “Shkeljes së barazisë në tendera apo ankandeve publike”.
Sipas “Ora News” , Zenel Çela, specialist i lartë, Ramiz Bardhi me detyrë specialist i Lartë dhe Rexhep Ismajlisufaj me detyrë ekonomist në bashkinë Tropojë, kanë pranuar fajësinë para gjykatës, duke kërkuar një dënim më të lehtë.
Trupa gjykuese që përbëhej nga Elsa Ulliri, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, teksa kanë shqyrtuar konkluzjonet e prokurorit të çështjes, Elvin Gokaj, si dhe duke konstatuar pendesën dhe pranimin e fajësisë nga tre të pandehurit, kanë vendosur të dënojnë me dy vite burgim secilin prej ish-zyrtarëve.
Por, ky dënim është pezulluar nga gjykata dhe ka caktuar për tre ish-zyrtarët shërbim prove për 4 vite dhe i ka ndaluar ata që gjatë kohës së kryerjes së dënimin të mos shoqërohen ata me asnjë person të dënuar.
Sipas dosjes hetimore tre zyrtarët kanë abuzuar gjatë fazës së drejtimit të komisionit të vlerësimit të ofertave në dy procedura tenderuese të shpallura nga bashkia Tropojë.
E para lidhet rikonstruksionin e gjimnazit “Asim Vokshi” dhe palestër, plus terrene sportive dhe sistemime të jashtme me fond limit mbi 53 milionë lekë. Ndërsa tek e dyta bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës “Tinka Kurti” në fshatin Lekbibaj.
Në të dyja këto procedura tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave në kushte të paqarta dhe pamotivuara, kanë përjashtur në mënyrë të qëllimshme Bashkimin e Operatorëve “Halili 1” dhe “Shëndëlli”, kompani këto që administrohen nga Kujtim Byberi dhe Yzedin Bozhaj.
Sipas SPAK, funksionarët e bashkisë Tropojë me vendimarjen e tyre kanë favorizuar në procedurën e rikonstruksionit të gjimnazit “Asim Vokshi”, subjektin “4 A-M” që zotërohet nga Ardit Metaliaj.
Në dosje e prokurorisë thuhet se:
“…komisioni i vlersimit të ofertës i përbërë nga Ramiz Bardhi , kryetar Specilist i Lartë, Zenel Çela, anëtarë Specialist i Lartë dhe Rexhep Isajlisufaj, anëtar Ekonomist më 18 qershor 2019 kanë skualifikuar Bashkimin e Operatorëve “Halili 1” & “Shëndelli”, i cili ka marrë pjesë në procedurën e prokurimit me objekt “Shkolla Asim Vokshi-Palestër dhe terrene sportive dhe sistemime të jashtme në gjimnazin Asim Vokshi” me fond limit 50,319,591 lekë, duke paraqitur ofertën në vlerën vlerë 42.072.833 lek pa tvsh dhe kanë kualifikuar si fitues operatorin ekonomik 4 A-M me ofertën 50.269.533 lek pa tvsh…”.
Por shkeljet e tre zyrtarëve të bashkisë Tropojë, janë rënduar akoma dhe më tepër në procedurën e dytë, atë të rikonstruksionit të shkollës “Tinka Kurti” në Lekbibaj me vlerë financiare prej 186 milion lekë të vjetra.
Sipas dosjes së SPAK, tre të pandehur fillimisht kanë shpallur fitues Bashkimin e Operatorëve “Halili 1” & “Shendelli”. Madje përfaqësuesit ligjorë të dy kompanive kanë lidhur dhe kontratën me bashkinë Tropojë. Por në rrethana të habitshme dhe shkaqe të pajustifikuara me ligj, është bërë skualifikimi.
Në dosje nënvizohet si më poshtë vijon:
“…me vendimin Nr.13 të 18 qershorit 2019 B.O “Halili 1” & “Shendelli” është shpallur fitues në këtë procedurë prokurimi dhe ka lidhur kontratën në 27 qershor 2019. Por më vonë këto dy kompani janë skualifikuar me argumentin se “makineritë dhe drejtuesi teknik, punonjësit, manovratorët të deklaruar në këtë procedurë prokurimi, do të jenë të angazhuara në këtë kontratë…”.
Pas përjashtimit të dy subjekteve në këtë tender, anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë shpallur fitues sërisht kompaninë e Ardit Metaliaj, të subjektit “4 A-M”.