
Gjashtë persona të personelit ushtarak kanë vdekur pasi dy helikopterë janë përplasur në mes veti në ajër në Turqi.
Ministri i Mbrojtjës, Ejup Maqedonci ka thënë se është i tronditur nga lajmi dhe i ka shprehur ngushëllime shtetit turk.
Tutje, ai ka thënë se pjesëtarët e FSK-së të cilët aktualisht janë duke ndjekur trajnimet në këtë kazermë kanë qenë larg vendit të incidentit dhe janë mirë e të sigurt.
“Jashtëzakonisht i tronditur me lajmin e sotëm rreth aksidentit ajror me fatalitet që ka ndodhur në regjionin në Isparta ku Komanda e Shkollës së Aviacionit Tokësor të Ushtrisë Turke kryen trajnimet. Shprehi ngushëllimet e mija më të sinqerta autoriteteve shtetërore turke, ministrit Yaşar Güler, Forcave të Armatosura Turke dhe familjarëve të ushtarakëve të vdekur. Fatmirësisht, pjesëtarët e FSK-së të cilët aktualisht janë duke ndjekur trajnimet në këtë kazermë kanë qenë larg vendit të incidentit dhe janë mirë e të sigurt. Në këto momente të vështira ndajmë dhimbjen me popullin turk. Qoftë i paharruar kujtimi për martirët!Lavdi!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, një helikopter ushtarak që i përkiste Shkollës së Aviacionit të Ushtrisë së Turqisë u rrëzua pranë një karburanti në qendër të qarkut Keçiborlu. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare turke njoftoi se në aksident kanë mbetur të vdekur ushtarë.
“Sipas informacioneve të marra nga Hürriyet nga burime ushtarake; Aksidenti ka ndodhur për shkak të kontaktit me helikë mes dy helikopterëve të të njëjtit lloj. Pas kontaktit, helikopteri që përfshinte gjeneral brigade İsa Baydilli nuk mundi të ruante lartësinë dhe u rrëzua, ndërsa helikopteri tjetër arriti të ulet i sigurt”, shkruan mediat turke.