Lajme

Maqedonci: Raketat “Javelin” do t’i kemi në kohën e duhur

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se raketat antitank “Javelin” do të jenë në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kohën e duhur, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Maqedonci ka thënë se deri në fund të vitit pritet të kryhet edhe pagesat e këstit të dytë.

“Sa i përket raketave “Javelin”, Ministria është duke vazhduar me procedurat për prokurimit. Në mars të këtij viti kemi ekzekutuar këstin e parë, ndërsa deri në fund të vitit do të ekzekutojmë edhe këstin e dytë. Jemi në rrugën e duhur ta kemi këtë sistem në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti.