Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se datat 5, 6 e 7 marsit 1998 kanë qenë pikat e kthesës së madhe të kryengritjes kombëtare për çlirimin e Kosovës.
“Ishte pikërisht sakrifica e Familjes Jashari elementi kyç që ndikoi në zgjerimin dhe rritjen e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por edhe në zgjerimin e kryengritjes në gjithë territorin e Kosovës në atë periudhë”, tha ai në një intervistë për RTK Prime.
Ai tha se, si rikujtim i këtyre datave, në kuadër të Epopeja e UÇK-së realizohen shumë aktivitete, të cilat tashmë janë bërë tradicionale.
Maqedonci: Standardizohet narrativa për Epopenë e UÇK-së në shkollat e Kosovës
Maqedonci tha se këtë vit është bërë një hap i rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj mbi Epopenë e UÇK-së.
“E veçanta këtë vit është se për herë të parë kemi standardizuar narrativën për shpjegimin e Epopesë së UÇK-së nga mësimdhënësit. Pra, ua kemi dërguar në Ministrinë e Arsimit një narrativë që e kemi përgatitur bashkë me historianë në Republikën e Kosovës, me qëllim që në të gjitha shkollat të ndahet informacioni i njëjtë në lidhje me Epopenë dhe rezistencën e armatosur të familjes Jashari”, tha Maqedonci.
Ai tutje tha se do të ketë aktivitete të tjera edhe në ditët në vijim, me ditën e homazheve në Prekaz, për të vazhduar më pas me ekspozitën në Kuvendin e Kosovës dhe akademinë përkujtimore në Pallatin e Rinisë në ora 19:00.
Ndërkaq, më 7 mars do të jetë nata e zjarreve, ku do të fillohet në Prekaz në ora 18:00, për të vazhduar në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare në ora 18:15 dhe për të përfunduar aktivitetet në Skenderaj.
