Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka vizituar njësitin e FSK-së i cili bashkë me ushtarët e Shqipërisë po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit të zhdukur në zonën e Klosit.
Ai këtë vizitë e bëri bashkë me homologun shqiptar Pirro Vengu.
Maqedonci tha se ekipi i specializuar i FSK-së për kërkim – shpëtim është në krye të detyrës.
“Sot së bashku me ministrin Pirro Vengu takuam ushtarakët e njësive të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit të zhdukur në zonën e Klosit. Forca e Sigurisë së Kosovës, që nga data 29 janar, ka zbarkuar në zonën e operacionit me njësinë e kërkim-shpëtimit me personel të specializuar për kërkime në ujëra, skanerë dhe dronë nënujorë. Kërkimet do të vazhdojnë dhe personeli ynë është në krye të detyrës”, ka shkruar Maqedonci.