ShowBizzz

Marksi takon Konfucin

Karl Marksi dhe Konfuci mund të kenë jetuar 2400 vjet larg njëri-tjetrit, por në televizionin shtetëror kinez ata shëtisin së bashku nëpër një akademi të lashtë kineze. Në një korije bambush të ndriçuar nga dielli, një grup studentësh piktorë ftojnë dy filozofët të jenë modelet e tyre. Teksa të rinjtë pikturojnë, Marksi dhe Konfuci bisedojnë. Ata janë të impresionuar nga trenat me shpejtësi të lartë të Kinës, ndër të tjera. Kur zbulohen portretet, mendimtarët habiten. Marksi përshkruhet me një mantel të dinastisë Tang; Konfuci portretizohet me një kostum perëndimor dhe kravata. Por të dy janë të kënaqur. “Unë kam qenë në Kinë për më shumë se njëqind vjet,” thotë Marksi (në gjuhën mandarine). “Në fakt, unë kam qenë kinez për një kohë të gjatë.” Konfuci qesh, duke e ledhatuar. Flokët e gjata duken pak të çuditshme me kostumin, thotë ai, por ka kuptim të vazhdosh të ndryshosh.

Skena është nga “Kur Marksi takoi Konfucin”, një serial televiziv i krijuar nga departamenti i propagandës në provincën Hunan dhe i nxjerrë në tetor. Nuk është popullor. Në Douban, një faqe interneti filmash, ai ka marrë vetëm 100 komente, shumica negative (p.sh. “ma shpif”) . Por, kjo është një mënyrë e mirë për të kuptuar mendimin e Xi Jinping mbi kulturën, dega më e fundit e filozofisë së liderit kinez.

Pjesë të tjera të të menduarit të Xi vënë theksin mbi një kontroll më të fortë të Partisë Komuniste mbi gjëra të tilla si diplomacia, mbrojtja dhe ekonomia. Mendimi i Xi Jinping mbi kulturën, i shpallur në tetor, përpiqet të bashkojë krenarinë për traditën kineze me besnikërinë ndaj partisë. Parimi i tij më i rëndësishëm është “dy kombinacionet”, për të folur artistikisht për një proces të gjatë dekadash për ta bërë marksizmin më kinez. Kombinati i parë i referohet përpjekjeve të hershëm, për të përshtatur marksizmin me “realitetin specifik” të Kinës. Një fleksibilitet i tillë ideologjik bëri që Ten Hsiaopin, ish-udhëheqësi i Kinës, të ndiqte reformat ekonomike në vitet 1980. Kombinati i dytë është ideja e Xi: të kinezërohet marksizmi duke e shkrirë atë me kulturën tradicionale kineze.

Përpjekja përfaqëson kulmin e një kthese radikale për partinë, e cila dikur e konsideronte traditën, armike të saj. Gjatë Revolucionit Kulturor të viteve 1966-76, Garda e Kuqe e Mao Ce Dunit shkatërroi tempujt konfucianë, dogji tekstet konfuciane dhe desekroi varrin e të urtit. Të rinjtë i denoncuan të moshuarit, duke kundërshtuar theksin konfucianizmit mbi përkushtimin ndaj fëmijëve. Por pas vdekjes së Maos në vitin 1976, partia iu afrua Konfucit, ose të paktën me një version të thjeshtuar të mësimeve të tij që thekson mbrojtjen ndaj autoritetit. Ten lejoi festimet publike të ditëlindjes së filozofit. Jiang Zemin dhe Hu Jintao, pasuesit e Tenit, përvetësuan idetë konfuciane. Në fillim të viteve 2000, studiuesit kinezë debatuan nëse konfucianizmi mund të zëvendësonte marksizmin si ideologjinë udhëheqëse e Kinës.

Xi po i jep fund këtij debati.

Marksizmi është “shpirti” dhe konfucianizmi “rrënja” e kulturës kineze, thotë ai. Asnjë ideologji nuk mund të braktiset. Në vend të kësaj, ato duhet të bashkohen. / Me shkurtime nga The Economist