Presidenti Bajram Begaj
Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një takim zyrtar në Kosovë, ku ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët me homologen Vjosa Osmani.
Gjatë fjalës së tij, Begaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira, teksa tha se janë dy shtete, por një komb.
Ai ndër të tjera u shpreh se marrëveshjet mes dy shteteve duhet të implementohen dhe të preken nga njerëzit sa më shpejt.
“Marrëdhëniet mes dy shteteve nuk do i quaja shumë të mira, por janë jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore. Jemi dy shtet dhe një komb, Kemi detyrën të jemi pranë njëri-tjetrit në ditë të mira dhe të vështira. Marrëveshjet që kemi firmosur duhet të implementohen dhe të preken nga njerëzit sa më shpejt. Mendoj se Porti i Durrësit apo hekurudha që do lidhë vendet më shpejt janë të rëndësishme për ne.
Politika jonë e jashtme është e linjëzuar me atë evropiane dhe atlantike. Pas një mandati të suksesshëm në KS, do jemi avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Jam shpresëplotë se nesër do kemi një votim të suksesshëm në KiE. Kjo do të na japë më shumë frymëzim për të bërë punë të mira në të ardhmen”, tha Begaj.