Pas lajmit se Megi Pojani nuk do të vazhdojë në drejtimin e “Për’puthen”, kanë dalë detajet e para për ekipin që pritet të marrë në dorë sezonin e ri të programit.
Sipas burimeve të Kryefjala.com, moderimi pritet t’i besohet Heidi Bacit, ish-banores së “Big Brother VIP Albania 3”, e cila pas përfundimit të reality show-t ka vijuar angazhimet e saj në ekranin e Top Channel.
Heidi ishte një prej dy emrave që qarkulluan ditët e fundit si kandidate për të pasuar Megi Pojanin. Emri tjetër ishte Selin Bollati, fituesja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, por informacionet e fundit çojnë drejt Bacit.
Ndryshimet nuk mbarojnë me moderatoren. Krah Heidi Bacit pritet të jetë edhe Ronaldo Sharka, megjithëse ende nuk është bërë e qartë se çfarë roli do të ketë ai në strukturën e re të programit.
Në ekip pritet të rikthehet edhe Erjola Doçi, këtë herë në rolin e opinionistes. Të tre janë emra të njohur për publikun e Top Channel dhe kanë pasur më parë angazhime në programe të ndryshme të televizionit.
“Për’puthen” duket se po shkon kështu drejt një riformatimi të ekipit për sezonin e ri, pas largimit të Megi Pojanit nga moderimi.
Top Channel, megjithatë, nuk e ka prezantuar ende zyrtarisht ekipin e ri. Për këtë arsye, Heidi Baci, Ronaldo Sharka dhe Erjola Doçi mbeten për momentin emrat që pritet t’i bashkohen programit, deri në një konfirmim nga televizioni.
