Lajme

Masa e arrestit, reagon Berisha: Asgjë nuk më ndan dot nga populli

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pasi Gjykata e Posaçme i caktoi masën “Arrest në shtëpi” për aferën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Berisha e konsideron masën si një hakmarrje politike të Edi Rama.

Reagimi i Berishës: 

Të nderuar miq, demokratë, shqiptarë kudo ku ndodheni.

Sot ndodhi ajo që të gjithë e dinim, izolimi dhe heqja e të drejtës së fjalës të liderit të opozitës nga narko-regjimi më mafioz i bastardit të ish-xhelatëve shqiptarë Kristaq Rama dhe Spiro Koleka, Edi Ramës që është dhe regjimi diktatorial më i korruptuar në Europë dhe më gjerë.

Kjo masë arresti politik, dëshmi e një hakmarrje politike të verbër të Edi Ramës, nuk shpreh vetëm urrejtjen e tij të trashëguar ndaj kundërshtarit, por mbi të gjitha shpreh frikën, tmerrin që ne të dashur miq i kemi kallur atij deri në palcë dhe botës së tij të krimit me betejën tonë pa kthim.

Ai që mendon se asgjesoi pluralizmin dhe opozitën do ketë fatin që populli opozitar i rezervon armiqve të lirisë, diktatorëve.

Të dashur miq, Sali Berisha është dhe do të jetë ai që ka qënë gjithmonë. Me apo pa arrest shtëpie, me apo pa policë tek dera, asgjë nuk do mund ta ndajë dot atë nga ju, jo vetëm demokratë, por edhe shqiptarë kudo që ata ndodhen.

Sali Berisha do të vazhdojë të punojë dhe të luftojë çdo minutë, me të gjitha format dhe mjetet për të rikthyer demokracinë që aktualisht është e shpërfytyruar: Më shumë nga të gjithë që e kupton se litari i kalbur po i këputet është vetë Edi Rama.

Unë jam i bindur se sot jemi sëbashku jo thjesht ata demokratë që janë në krah të Sali Berishës, por dhe ata shqiptarë që e ndjejnë dhe e përjetojnë se Shqipëria është në rrezik. Ata janë shumica e qytetarëve të këtij vendi, ndaj a e dini pse fitorja jonë është e padiskutueshme? Është e tillë sepse ata që duan Shqipërinë janë më shumë se ata që duan thjesht Sali Berishën.

Së fundmi, çdo masë që merr ky pushtet ndaj meje dhe opozitës është e përkohshme. Ajo që mbetet e pamposhtur është mosdorëzimi ynë dhe vendosmëria jone që izolimin e opozitës ta kthejmë në betejë lirie dhe në fitore për shqiptarët.

Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë me moton “O SOT O KURRË” betejën tonë pa kthim edhe më të fortë, të vendosur dhe më me pasion e guxim se kurrë më parë.

GJKKO ka pranuar sot kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke caktuar masën “Arrest Shtëpie” për Sali Berishën. Siç dihet, SPAK kishte kërkuar masë më shtrënguese për ish kryeministrin, pasi ky i fundit nuk iu bind vendimit të parë për detyrim paraqitje.

“Arresti në shtëpi” për Berishën do të jetë me mbikëqyrje policore. Ky ka qenë vendimi i GJKKO-së ditën e sotme, teksa gjyqtare ka qenë Irena Gjoka, për të cilën avokatët e liderit të PD-së kërkuan përjashtimin e saj.

Ky vendim është menjëherë i ekzekutueshëm, teksa është Policia e Shtetit që do të marrë masat për t’u kryer kjo masë shtrënguese. Kujtojmë që Sali Berisha është në hetim për korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë, vepër penale e kryer në bashkëpunim.

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.

Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet ndër të tjera në vendim.

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo