Bashkimi Evropian vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës.
Fatkeqësisht, këto masa ende vazhdojnë të qëndrojnë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga krerët e institucioneve tona për largimin e tyre.
Këto masa janë cilësuar si të padrejta, për arsye se ishte pikërisht shteti serb që provokonte dhe nxiste destabilizim të situatës në veri të vendit, dhe pavarësisht kësaj Serbia nuk u sanksionua.
E së fundi, në lidhje me këtë çështje, u deklarua edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo gjatë vizitës në Kosovës tha se duhet të punohet edhe më shumë që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur ndaj Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha von der Leyen.
Pse gjithë kjo zvarritje e BE-së për largimin e masave të Kosovës? Çfarë duhet të bëjë më shumë Kosova për t’i larguar këto?
Në lidhje me këto çështje, folën analistët politikë, derisa thanë se këto masa ndëshkuese janë të padrejta dhe jo produktive.
Xani: Fatkeqësisht, ne si Kosovë jemi shtet pothuajse i dobët, për të ndikuar në procese diplomatike
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli Visar Xani.
Së pari, ai tha se diplomacia nuk bazohet në drejtësi, por mbi interesat e shteteve të fuqishme.
Visar Xani.
Për këtë, potencoi se edhe i janë vendosur këto masa të padrejta Kosovës.
“Diplomacia shpeshherë nuk bazohet mbi drejtësitë, por mbi interesat dhe strategjitë që ndërtojnë shtetet, të cilat kanë ndikim dhe fuqi më të madhe. Fatkeqësisht, ne si Kosovë jemi shtet pothuajse i dobët, për të ndikuar në procese diplomatike, prandaj shpeshherë ballafaqohemi edhe me situata të tilla, të cilat edhe mund të quhen të padrejta”.
Xani u shpreh se i vlerëson të padrejta për faktin se për shkaqe të njëjta nuk ndëshkohet Serbia, por vetëm Kosova.
Ai tregoi edhe pse i janë vendosur këto sanksione vetëm shtetit tonë.
“Të padrejta, për shkak që, për një çështje pothuajse të njëjtë, siç është ndërlidhja e dialogut, nuk ndëshkohet Serbia dhe Kosova po. Por, që BE-ja ka vendosur që këtë mekanizëm ta përdorë për të ndikuar më shumë te Kosova, sepse Kosova është shtet që ka më pak ndikim në këtë diplomaci”, nënvizoi analisti.
Ndër të tjera, shtoi se nuk beson se këto masa do hiqen gjatë këtij viti, madje tha se kjo çështje i mbetet qeverisë së re.
“Prandaj, ne e dimë që shumë e lehtë ka qenë vendosja e tyre, por është e komplikueshme heqja e tyre. Mbase mbetet me pa në muajt në vazhdim, por që të paktën vitin 2024 sigurt do të mbyllim dhe do të festojnë vitin 2025 me me këto masa. Por, i mbetet qeverisë së re, që pas zgjedhjeve të punojë ngushtë me BE-në, të sfidohet me këto çështje dhe të arrijë në njëfarë mënyre që t’i heq këto masa të padrejta. Dhe, të paktën nëse nuk heqen ato, të kushtëzohet edhe Serbia. Ku, edhe Serbia të ballafaqohet me këto masa dhe në njëfarë mënyre të jetë një mjet presioni për t’i detyruar palët për të arritur dhe zbatuar marrëveshjet”, përfundoi Visar Xani për “Bota sot”.
Bilalli: Vizita e Ursula von der LEyen ka sjellë dy mesazhe inkurajuese
Lutfi Bilalli
Ndërsa, analisti Lutfi Bilalli potencoi rëndësinë e vizitës së von der Leyen në Kosovës dhe dy mesazhet që ajo përçoi.
“Sipas mendimit tim vizita e Krye-Komisioneres së UE-në, Ursula von der Leyen në Kosovë, por edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor është e një rëndësi të veçantë. Mendoj se vizita e Ursula von der Leyen ka sjellë dy mesazhe inkurajuese:
1.Rëndësin që ka Ballkani Perëndimor për UE-në si një rajon i cili nuk duhet të bie pre e interesave të polit lindore ruso-kinez, dhe
2.Inkurajimi për reforma të thella rreth proceseve integrues që do hapte rrugë për anëtarësim të plotë në Unionin Evropian”.
Gjithashtu, Bilalli në prononcimin e tij për “Bota sot” përmendi edhe procedurat dhe negociatat për anëtarësim në BE, dhe atë se ku qëndron Kosova.
“Por sa do marrë kohë anëtarësimi i vendeve të rajonit e në këtë kuadër edhe i Kosovës (mbase Kosova është pak më mbrapa krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor edhe pse Kosova ka dorëzuar pyetësorin për anëtarësim, por ende nuk ka përgjigje nga ana e institucioneve të UE-në) është vështirë të theksohet ngase plotësimi i kritereve dhe përmbushja e kaptinave që kërkohen për vendet kandidate dhe hapja e negociatave për anëtarësim, droj që do marrë dekada”, nënvizoi ai.
Analisti e konsideroi se sinjal të mirë, faktin se von der Leyen e theksoi progresin e Kosovës në reformat
“Është një shenjë e mirë që Krye-Komisionerja e UE-në, Ursula von der Leyen theksoi progresin e Kosovës në reformat rrethë rrugës integruese në UE-në. Tani më dihet që sipas Planit të Rritjes së UE-në për vendet e Ballkanit Perëndimor është ndarë një shumë në vlerë prej 6 milardë euro, më shumë se 880 milionë euro janë në dispozicion për Kosovën. Ursula von der Layen u shpreh “se një pagesë e parë mund të vijë në fund të këtij viti””.
Në fund, ai për mesazhin e von der Leyen për vazhdimin e masave ndëshkuese është i padrejtë dhe joproduktiv.
Madje, shtoi se BE rrugën e integrimeve të Kosovës do ta ndërlidhin gjithë më kushtëzime dhe dialogun me Serbinë.
“Por edhe pse Kryeministri i Kosovës ka bërë të ditur se ka theksuar rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe i ka kërkuar Ursula von der Leyen heqjen e masave të UE-së ndaj Kosovës, Krye-komisarja e UE-së u tregua më perfide dhe me një togfjalësh diplomatik, ajo la të kuptohet se çështja e heqjeve të masave ndëshkuese të UE-në (ndaj Kosoves do trajtohen në të ardhmen, vërejtje mendim i imi) ajo theksoi se “Kosova duhet të punojë më shumë “, që për mendimin tim vazhdimi i masave të tilla është i padrejtë dhe joproduktiv, aq më tepër kur në raport me Serbinë, institucionet e UE-në kanë një qasje shumë toleruese.
Mendoj që për fatin tonë të keq, institucionet e UE-në dhe liderët e këtyre institucioneve rrugën integruese të Kosovës në UE-në do të ndërlidhin me kushtëzime politike e në veçanti me procesin e dialogimit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura Kosovë-Serbi. Kjo strategji e UE-në në raport me Kosovën është e padrejtë, por fatkeqësisht byrokracia dhe taktikat e institucioneve të UE-në, në Brukseli përdorin edhe instrumente të tilla imponuse”, përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.