Astronomët nuk kanë arritur të përllogarisin sasinë e plotë të lëndës që ekziston në univers. Edhe pse kanë marrë parasysh gjithë lëndën normale, si yjet, galaktikat dhe gazrat, kjo sasi rezulton të jetë shumë më e vogël se ajo që pritet të jetë krijuar nga Shpërthimi i Madh, rreth 13.6 miliardë vjet më parë.
Rreth 85 për qind e universit përbëhet nga materia e errët. 15 për qindëshi i mbetur është lloji më i zakonshëm, një pjesë e madhe e së cilës përbën gjërat që mund të shohim në hapësirë, si yjet dhe planetët. Nga kjo pjesë, rreth gjysma ka munguar në listën tonë të përbërësve të universit.
Por një ekip prej 75 astronomësh më në fund e ka bërë “bilancin kozmologjik”. Materia që mungonte ka qenë duke u fshehur si gaz i padukshëm i hidrogjenit të jonizuar, i cili formon aureola (unaza apo mbështjellje) përreth galaktikave, shumë më të mëdha dhe më të shpeshta sesa vlerësimet e mëparshme, sipas një raporti të publikuar në një server paraprak fizikash, si dhe në konferenca shkencore. Artikulli do të botohet në revistën Physical Review Letters.
“Ne tregojmë në mënyrë të qëndrueshme se gazi është shumë më i shtrirë se materia e errët” në krahasim me grimcat nënatomike të quajtura barione, thuhet në punimin shkencor, i cili shpjegon se astronomët në thelb e kishin gabim raportin midis këtyre dy komponentëve, gjë që çoi në një gabim të madh në llogaritjen e materies. Teleskopët më të mirë dhe instrumentet më të sofistikuara për matjen e përbërësve themelorë të universit kanë çuar astronomët në këtë përfundim të ri.
Punimi gjithashtu ofron disa shpjegime për arsyet pas këtij gabimi në llogaritje. Njëra prej tyre është nënvlerësimi që astronomët i bënë fuqisë së vrimave të zeza masive që ndodhen në qendrat e galaktikave.
Vrimat e zeza janë duke “hedhur gaz shumë më larg nga qendra galaktike sesa pritej, rreth pesë herë më larg,” sipas një deklarate për shtyp. Matjet e reja tregojnë se ky gaz i përhapur dhe i padukshëm i hidrogjenit të jonizuar rrethon galaktikat në formë aureole dhe është “më i fryrë dhe më i shtrirë sesa mendonin astronomët,” vijon deklarata.
“Mendojmë se, sapo të shkojmë më larg nga galaktika, e rimarrim të gjithë gazin që mungonte,” tha Boryana Hadzhiyska, kërkuese në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley dhe autorja e parë e punimit, në deklaratën për shtyp. “Për të qenë më të saktë, duhet të bëjmë një analizë të kujdesshme me simulime, gjë që ende nuk e kemi bërë. Duam ta bëjmë punën me kujdes.”
Për të bërë llogaritjen e sasisë së përllogaritur të gazit të jonizuar të hidrogjenit, astronomët grumbulluan imazhe të rreth 7 milionë galaktikave brenda një distance prej 8 miliardë vite dritë nga Toka. Pastaj matën se në çfarë mase mikrovalët kozmike u ndriçuan ose u zbehën lehtë për shkak të pranisë së gazit të padukshëm të hidrogjenit, i cili shpërndan rrezatimin, një proces i quajtur efekti kinematik Sunyaev-Zel’dovich.
Sipas deklaratës për shtyp, studiuesit përdorën ato mikrovalë të shpërndara si një sfond që përshkruan skajin e universit dhe shërben si ndriçim i pasmë për të zbuluar gazin. / Science Alert – Syri.net
