Në kuadër të bashkëpunimit arsimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, është mbajtur faza finale e Olimpiadës së Dytë të përbashkët në lëndën “Gjuhë shqipe” për nxënësit e klasave të nënta.
Sipas njoftimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, testimi i nxënësve nga të dyja shtetet u zhvillua këtë vit në Prishtinë, me pjesëmarrjen e nxënësve që kanë arritur rezultate të larta në fazat paraprake të garës.
Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendësministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu si dhe zëvendësministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Orjana Osmani.
Me këtë rast, Kryeziu vlerësoi rëndësinë e Olimpiadës së Gjuhës Shqipe si një aktivitet që tejkalon karakterin garues dhe kontribuon në promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.
“Kjo sot është më shumë se një garë dijesh. Sepse po e promovojmë dhe lartësojmë gjuhën shqipe – gjuhën që na bashkon përtej çdo kufiri. Olimpiada e Gjuhës Shqipe është dëshmi e dashurisë dhe përkushtimit ndaj identitetit, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare”, tha zëvendësministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës së Kosovës.
Ndërkaq, zëvendësministrja Osmani vlerësoi se kjo olimpiadë përfaqëson një vizion të përbashkët për arsimin, kulturën dhe të ardhmen e brezit të ri shqiptar, duke theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe në ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar.
“Kjo olimpiadë është dëshmi e një modeli arsimor që promovon mendimin kritik, cilësinë, bashkëpunimin dhe identitetin kulturor. Gjuha shqipe mbetet një nga themelet më të forta të identitetit tonë kombëtar; përmes saj kemi ruajtur historinë, kulturën dhe vetë qenien tonë kombëtare”, u shpreh zëvendësministrja e Arsimit të Shqipërisë.
Në këtë Olimpiadë morën pjesë 87 nxënës nga Kosova dhe Shqipëria.
