Kanë kaluar më shumë se dy muaj që prej kur rimori edhe për 4 vite “timonin” e Prishtinës.
Mirëpo, përgjatë kësaj periudhe, Përparim Rama, ende nuk ka zgjedhur kabinetin e tij qeveritar.
Ndonëse, një gjë të tillë, ai është dashur ta bëjë jo më vonë se 30 ditë që nga dhënia e betimit dhe marrja e mandatit si kryetar.
Kështu parashihet në udhëzimin administrativ të publikuar edhe në Gazetën Zyrtare.
Dëm të madh nga i gjithë ky proces po shohin nga opozita në kryeqytet.
“Sot, unë, si asamblist nuk mundem ose mundem me ju drejtuar me një email kujtdo, por askush nuk kthen përgjigje për arsye se asnjë drejtor nuk e ndjen veten si drejtor aty. Ato i ka marr prej partisë të caktuara, prej partisë opozitare, prej PDK-së, AAK-së, NISMË-së dhe tash kulaçin nuk po munden me nda”, deklaroi asamblisti i VV-së, Enver Rednica.
Kjo gjendje e krijuar, sipas monitoruesit të punës së pushtetit lokal, mund të jetë shkak i mospajtimeve mes partnerëve në koalicione.
“Shpesh herë kur bëhen koalicione të tilla edhe kur ndërtohen ekipet shpesh propozimet vijnë nga ekipet apo koalicionet. Pra shpesh herë këto kanë shkaktuar çështje që nuk janë pajtuar mes partnereve duke sjellë emra të ndryshëm, por edhe vet kryetarët e Komunave nuk pajtohen me propozimet që vijnë nga partnerët e tyre të koalicionet me të cilin kanë bërë”, tha Kenan Gashi nga Avonet.
Kurse, sipas juristit Anton Nrecaj, ligji thotë që kryetari duhet ta formojë kabinetin e tij qeverisës, por jo edhe ta prezantojë atë para Kuvendit Komunal.
“Sipas ligjit në fuqi për qeverisje lokale kryetari i Komunës në momentin kur e jep betimin para Kuvendit Komunal, natyrisht se ai brenda një periudhe të caktuar do të duhet që të krijonte kabinetin qeverisë së tij në nivelin lokal, në bazë të marrëveshjes qoftë me koalicion apo pa koalicion. Prezantimi i kabinetit qeverisë nuk është sipas ligjit detyrim që i njëjti të prezantohet edhe në Kuvendin Komunal sepse kompetencat janë të ndara”.
Për këtë çështje, Tëvë1 ka kontaktuar edhe Komunën e Prishtinës për të marrë një përgjigje, por të njëjtit thanë se nuk kanë ende asgjë zyrtare.
