Lajme

​Mbi 20 mijë qytetarë e kanë nënshkruar peticionin në mbështetje të katërshes së UÇK-së

Peticioni kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë ka mbledhur deri më tani mbi 20 mijë nënshkrime në formë online, ndërsa numri i nënshkrimeve fizike ende nuk dihet. Ky peticion është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së të cilët po synojnë rreth një milion nënshkrime, të cilat më pas do t’i dorëzohen Gjykatës Speciale.

Nënshkrimi i këtij peticioni kombëtar ka nisur tash e 10 ditë dhe atë mund ta nënshkruajnë shqiptarët kudo që ndodhen.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla ka deklaruar për KosovaPress se përmes këtij peticioni kombëtar po synojnë që zërin kundërshtues ndaj padrejtësive në Speciale ta hedhin edhe në letër.

Sipas tij interesimi i qytetarëve për të nënshkruar këtë peticion është i madh, por shtoi se për shkak të mungesës së mjeteve financiare, nuk kanë pasur mundësi ta organizojnë peticionin edhe në sheshe.

Syla: Interesim i madh i qytetarëve për ta nënshkruar peticionin në mbështetje të krerëve të UÇK-së

Ne kemi hapur edhe në formë online këtë peticion, po edhe në formë fizike. Do të thotë, nëpër të gjitha degët apo selitë tona që i kemi nëpër, nëpër komunat tona, ne veç i kemi dërguar ato fizikisht. Do të thotë i kemi peticionin në formë fizike, po ashtu edhe në faqen tonë që e kemi zyrtare, kemi plasuar aty këtë peticionin online. Online diku nëse nuk gaboj mbi 20.000 diku ka shkua ashtu afërsisht…. Fizikisht nuk jemi saktë në numër për shkak se është veç tu ndodhë, është në proces edhe nuk kemi marrë ndonjë informatë se sa është numri. Por, është një interesim tepër i madh i qytetarëve me nënshkruar peticionin”, tha ai.

Syla potencoi se synimi i tyre është të mbledhin rreth një milion nënshkrime, të cilat do t’i dorëzohen sa më shpejt Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ai theksoi se peticioni është paraparë të zgjasë jo më shumë se një muaj, pasi, sipas tij, çështja ndodhet në fazën përfundimtare dhe kërkon veprim të shpejtë.

Syla: Synojmë 1 milionë nënshkrime të cilat do t’ia dorëzojmë Speciales

Qëllimi ynë është me mbërri diku, ndoshta rreth 1 milion nënshkrime me i marrë edhe me i dërguar në Gjykatën Speciale sa më shpejt që munden….02’40Edhe ideja prej asaj dite që ne kemi vendosur me publiku peticionin tonë, e kemi paraparë që jo më shumë se një muaj për shkak se vetëm jemi në fazën përfundimtare, sa më shpejt duhet ta dërgojmë peticionin në formë të shkruar në Gjykatën Speciale””, deklaroi Syla.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gazmend Syla deklaroi se përmes peticionit qytetarët po shprehin kundërshtimin ndaj asaj që ai e cilësoi si devijim të gjykatës nga misioni fillestar.

Duke shtuar se nuk synojnë të ndërhyjnë në drejtësi, ai thotë se e konsiderojnë si të drejtë legjitime shprehjen e pakënaqësisë dhe kërkesën për një proces të paanshëm e të pandikuar politikisht.

Syla: Qytetarët me peticion po i thonë jo kësaj padrejtësie që po ndodh në Hagë

Mendojmë që është tepër e qëlluar, sepse ne si qytetarë të këtij vendi, të cilët ia kemi dhënë mundësinë me u themeluar kjo gjykatë speciale përmes deputetëve tonë që e kanë ngritur dorën në atë kohë, sot po i thonë jo kësaj padrejtësie, sepse ju e dini, se devijoi nga misioni i saj gjykata. Prandaj mesazhi i qytetarëve tonë tash përmes peticionit do të jetë që s’mundesh me vendos në emrin tonë, sepse na keni mashtruar. Na keni thënë që këtë gjykatë do ta themelojmë për diçka tjetër, keni kaluar në diçka tjetër. Prandaj është tepër e rëndësishme. Në njëfarë forme ne nuk duam asnjëherë me ndërhyrë në drejtësi, po është e drejta jonë legjitime, kushtetuta na garanton që me i thënë që është e padrejtë kjo që po bëni atje”, shprehet Syla.

Por, krahas peticionit, Syla theksoi se as aktivitetet tjera kundërshtuese nuk do të ndalen deri në kthimin e bashkëluftëtarëve në shtëpi.

Ai paralajmëroi vazhdim të avokimit, takime me personalitete ndërkombëtare dhe mundësi të organizimit të protestave të tjera, duke theksuar se do të vazhdojnë t’u qëndrojnë pranë të akuzuarve dhe se besojnë në pafajësinë e tyre.

Syla: Aktivitetin kundër kësaj padrejtësie nuk do ta ndalim derisa të lirohen katërshja e UÇK-së

Aktivitetin tonë kundër kësaj padrejtësie nuk do ta ndalim deri në ditën sa bashkëluftëtarët tonë kthehen në shtëpitë e tyre. Prandaj pas peticionit do të vazhdojmë me avokim. Do të, besoj që do t’i kemi, veç i kemi pothuajse të konfirmuara disa takime me disa personalitete ndërkombëtare, edhe po besoj që shumë shpejt do t’i publikojmë. Prandaj, jo, aktiviteti nuk do të ndalet asnjëherë. Pse jo edhe me protesta të tjera. Por derisa të vijnë bashkëluftëtarët tonë në shtëpitë e tyre, ne nuk do të ndalemi. Kemi obligim me iu qëndruar afër atyre, me iu japë mbështetje, sepse lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e besojmë pafajësinë e tyre”, tha ai.

Më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara u dhanë fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan sërish të pafajshëm për akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Të Ngjashme