Është ndër komunat më të mëdha në vend. Por, pavarësisht kësaj, Komuna e Prizrenit po ndihet e anashkaluar nga niveli qendror.
Nga kjo komunë po ankohen se për shkak të detyrimeve që burojnë nga kontrata kolektive, ndër vite buxhetit të saj i janë marrë rreth 36 milionë euro.
E për shkak të këtyre dëmeve, nuk po mund të bëjnë investime kapitale.
“Nëse e marrim një kronologji që nga viti 2022 deri në këto momente komunës së Prizrenit iu janë ekzekutuar me vendime përmbarimore diku 36 milionë euro. 70% e kësaj shumë është nga kontrata kolektive ndërsa 30% janë projekte të cilat kontrata kolektive iu ka marrë mjetet dhe operatorët ekonomik që kanë kryer punë janë detyruar të dërgojnë të përmbaruesi”, tha zyrtari financiar Lulëzim Sylejmani.
Komuna e Prizrenit pret nga Qeveria që përmes rishikimit të buxhetit t’i dilet në ndihmë.
“Mundet pa problem nga rezervat shtetërore apo nga ndonjë kursim i nivelit qendror. Siç e dimë ministri e linjës kanë projekte të buxhetuara për komuna të caktuara, ministrit kish qenë mirë ato para me derdh tek komunat dhe komunat me vazhdu me projektet të cilat i kemi marrë drejtpërdrejt nga qytetarët”, thotë ai.
Mosrishikimi i shpejtë i buxhetit edhe sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, rrezikon që shumë komuna të mosrealizojnë projektet e planifikuar për vitin 2026.
“Mosrishikimi i buxhetit mund të shkaktojë pasoja të drejtpërdrejta për komunat, duke i vënë ato në vështirësi serioze financiare dhe duke rrezikuar realizimin e projekteve kapitale. Vetëm në muajt e parë të këtij viti, dhjetëra milionë euro janë tërhequr nga buxhetet komunale për shkak të obligimeve të paplanifikuara, kryesisht nga kontratat kolektive dhe procedurat përmbarimore, duke goditur veçanërisht investimet në infrastrukturë dhe shërbimet për qytetarët”, thotë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi.
Prandaj presin rishikim sa më të shpejtë, në mënyrë që të stabilizohet gjendja financiare dhe të shmangen pasoja të mëtejshme për qytetarët dhe zhvillimin lokal.
Por si janë mundësit ligjore për rishikim të buxhetit.
“Ministria përgjegjëse për financa e ka barrë apo përgjegjësin kryesore dhe rrjedhimisht mund të dërgoj shkresa organizatave buxhetore. Në rast që kanë nevojë dhe domosdoshmëri për ndonjë rishikim, dhe i njëjti pas miratimi në Qeveri procedohet në Kuvendi i cili i nënshtrohet shqyrtimit të rregullt parlamentar”, thotë juristi Adrian Bajraktari.
Tëvë 1 ka dërguar pyetje edhe në Ministrin e Financave po deri në transmetimin e kronikës nuk ka marrë përgjigje.
