Shëndetësi

Mbi 90% e njerëzve gabojnë në mirëmbajtjen e dhëmbëve, ja si të shpëtoni buzëqeshjen tuaj

Larja e dhëmbëve është një element kyç i higjienës orale ditore, por vetëm kjo nuk mjafton për të parandaluar prishjen e dhëmbëve dhe konsumimin e smaltit.

Përveç teknikës së saktë dhe cilësisë së pastës së dhëmbëve, edhe koha kur lajmë dhëmbët, dieta dhe përdorimi i fluorit luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit oral.

Gjatë natës, prodhimi i pështymës zvogëlohet, duke krijuar një mjedis ideal për shumimin e baktereve në gojë. Kjo shkakton erë të keqe dhe ndjenjën e thatësisë në mëngjes. Për këtë arsye, shumë ekspertë rekomandojnë larjen e dhëmbëve sapo zgjohemi, për të stimuluar prodhimin e pështymës dhe për të mbrojtur dhëmbët.

Nga ana tjetër, larja e dhëmbëve pas mëngjesit ndihmon në pastrimin e mbetjeve ushqimore. Megjithatë, nëse mëngjesi përfshin ushqime ose pije acidike, si lëngjet ose kafeja, larja e menjëhershme mund të dëmtojë smaltin. Ekspertët këshillojnë të prisni 30-60 minuta ose të shpëlani gojën me ujë para larjes.

Dieta luan një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve. Konsumi i ushqimeve të përpunuara, të pasura me sheqer dhe karbohidrate të rafinuara, si ëmbëlsirat dhe pijet gazuara, rrit rrezikun e prishjes së dhëmbëve. Larja e dhëmbëve ndihmon në zvogëlimin e pllakës bakteriale, por nuk mjafton për të kompensuar efektet negative të dietës. Prandaj, është e rëndësishme të kufizojmë ushqimet e pashëndetshme.

Fluori, i pranishëm në pastat e dhëmbëve, është një element themelor në parandalimin e prishjes së dhëmbëve. Ai ngadalëson humbjen e mineraleve nga smalti dhe nxit procesin e rimineralizimit. Megjithatë, shpëlarja e gojës me ujë pas larjes redukton efektin e fluorit, duke hequr pjesërisht substancën nga sipërfaqja e dhëmbëve.

Teknika e larjes dhe koha e kaluar janë më të rëndësishme sesa vetëm numri i larjeve në ditë, megjithëse rekomandohet të lajmë dhëmbët dy deri në tre herë në ditë. Përdorimi i një furçe dhëmbësh të butë dhe lëvizje të sakta ndihmon në parandalimin e dëmtimeve dhe konsumimit të smaltit.

Parandalimi duhet të fillojë që në fëmijëri. Edhe para daljes së dhëmbëve të parë, rekomandohet pastrimi i mishrave të dhëmbëve me garzë ose furçë të posaçme. Përdorimi i pastës së dhëmbëve me fluor duhet të jetë i përshtatur për moshën, në sasi të vogla, për të shmangur fluorozën, një gjendje që shkakton ndryshime në ngjyrën e dhëmbëve për shkak të përdorimit të tepërt të fluorit. Syri.net-iefimerida

Të Ngjashme