Të qenit mbipeshë rrit ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të demencës vaskulare, sipas një studimi të ri të madh.
Mbipesha ka qenë prej kohësh e lidhur me një rrezik më të lartë të demencës vaskulare, një sëmundje progresive e trurit që shkakton dëmtim të qelizave nervore.
Megjithatë, deri më tani ka qenë e paqartë nëse pesha e tepërt e nxit drejtpërdrejt sëmundjen apo thjesht pasqyron probleme të tjera themelore shëndetësore që rrisin rrezikun e demencës.
Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Danimarkë analizuan të dhënat e më shumë se 500,000 pjesëmarrësve në të dy vendet dhe zbuluan se një indeks më i lartë i masës trupore (BMI) rrit drejtpërdrejt gjasat e demencës vaskulare.
Demenca vaskulare është forma e dytë më e zakonshme e demencës pas sëmundjes së Alzheimerit, sipas Shoqatës së Alzheimerit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe shkaktohet nga rrjedhja e reduktuar e gjakut në tru.
“Ky studim tregon se pesha e lartë trupore dhe presioni i lartë i gjakut nuk janë vetëm shenja paralajmëruese, por shkaqe të drejtpërdrejta të demencës”, tha në një deklaratë Ruth Frikke-Schmidt, autore e studimit dhe profesoreshë në Universitetin e Kopenhagenit dhe mjeke kryesore në Spitalin Universitar të Kopenhagenit, Danimarkë.
Ekipi i hulumtimit përdori një metodë të quajtur randomizim Mendelian, e cila krahason njerëzit që lindin me gjene që i predispozojnë ata për një BMI më të lartë me ata që nuk janë.
U zbulua se njerëzit me një BMI gjenetikisht më të lartë, kishin një rrezik ndjeshëm më të lartë të demencës vaskulare.
Studiuesit shqyrtuan gjithashtu pse pesha e tepërt rrit rrezikun e demencës. Ata zbuluan se presioni i lartë i gjakut, shpjegonte një pjesë të konsiderueshme të efektit.
Gjetjet sugjerojnë se mbajtja e një peshe të shëndetshme dhe kontrollimi i presionit të gjakut, mund të jenë hapa të rëndësishëm në uljen e rrezikut të demencës më vonë në jetë.
“Trajtimi dhe parandalimi i BMI-së së lartë dhe presionit të lartë të gjakut përfaqësojnë një mundësi të pashfrytëzuar për parandalimin e demencës”, tha Frikke-Schmidt.
Ndërsa një studim i kohëve të fundit mbi efektin e ilaçeve për humbje peshe në ndalimin e rënies njohëse në fazat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit nuk rezultoi në ndonjë efekt të dobishëm, mbetet për t’u testuar nëse “ilaçet për humbje peshe të filluara para shfaqjes së simptomave njohëse mund të jenë mbrojtëse kundër demencës”, tha Frikke-Schmidt.
“Të dhënat tona aktuale sugjerojnë që ndërhyrjet e hershme për humbje peshe do të parandalonin demencën, dhe veçanërisht demencën vaskulare”, shtoi ajo.
Demenca është një sfidë globale në rritje e shëndetit publik, për të cilën aktualisht nuk ka kurë. Çdo vit, ka gati 10 milionë raste të reja në të gjithë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Njerëzit me demencë përjetojnë një rënie të rëndë të aftësive mendore, duke përfshirë kujtesën, të menduarit dhe arsyetimin./ Euronews.
