Visar Azemi pas mbledhjes së kryesisë të degës së LDK-së në Ferizaj, deklaron se partia “ka hyrë në një fazë të domosdoshme konsolidimi dhe ringritjeje, proces që kërkon durim, disiplinë organizative dhe unitet rreth institucioneve të partisë”.
Sipas tij, “në këtë rrugëtim, puna dhe angazhimi i Kryetarit Abdixhiku për forcimin e organizimit, rritjen e standardit politik dhe rikthimin e besimit qytetar janë një orientim i qartë për të gjithë ne”, shkruan Azemi.
Ai thotë se “besimi nuk ndërtohet me lëkundje të përditshme, por me qëndrueshmëri, punë të matshme dhe përgjegjësi”.
Tutje, në postimin e tij në FB, Visar Azemi shkruan:
Rruga për ta rikthyer LDK-në si forcë udhëheqëse në Kosovë nuk është dhe nuk do të jetë pa pengesa, prandaj nuk duhet të vihet në pikëpyetje sa herë që ka sfida në rrugëtim. Sot, në takimin e kryesisë së Degës në Ferizaj, vlerësuam dhe e mbështetëm qasjen e Kryetarit Abdixhiku për ta mbajtur partinë të fokusuar te qytetari dhe te alternativa që po ndërtohet, duke i trajtuar debatet e brendshme me maturi dhe në forumet e duhura.
Ne, dega e Ferizajit, do të vazhdojmë të kontribuojmë me organizim, mobilizim dhe punë në terren, në frymën e unitetit dhe të përgjegjësisë politike, që kjo rrugë të përkthehet në rezultate dhe besim të ri për LDK-në.
