Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës me fillim nga ora 09:30, ku në rend dite pritet të jenë 16 pika, përfshirë shqyrtimin e një projektligji të rëndësishëm për ndërhyrje në treg.
Në fokus të mbledhjes do të jetë projektligji për masat e përkohshme për produktet themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut.
Ky projektligj synon të adresojë rritjen e çmimeve të produkteve bazë, në një kohë kur vendi po përballet me një valë të re inflacioni.
Një nismë e ngjashme në mandatin e kaluar, që parashihte vendosjen e çmimeve tavan, ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Rritja e çmimeve, veçanërisht e derivateve të naftës, ka filluar që nga fundi i muajit shkurt, si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe ndikimit në tregjet globale.
Si rrjedhojë, në Kosovë është vërejtur shtrenjtim i naftës dhe i disa produkteve të tjera bazë.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë propozuar masa alternative për të përballuar krizën, përfshirë uljen e akcizës dhe të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), propozime që deri më tani janë refuzuar nga ekzekutivi.
Përveç këtij projektligji, në rend dite janë edhe shqyrtimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, ai për shtetësinë e Kosovës, projektligji për lëndët plasëse dhe ai për Maturën Shtetërore.
Po ashtu, Qeveria pritet të shqyrtojë edhe iniciativa të tjera, përfshirë një marrëveshje për bashkëpunim ushtarako-financiar me Turqinë.
Në lidhje me situatën ekonomike dhe rritjen e çmimeve, gjatë ditës së premte pritet të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga opozita.
