Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe pak ditë i kanë mbetur deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve, partia e parë fituese ka dal Lëvizja Vetëvendosje në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13% që ka fituar 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës me 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca më 6.74% ka fituar shtatë ulëse.
Kreu i partisë fituese, Albin Kurti, ende nuk ka filluar bisedimet me partitë politike për koalicion qeverisës apo çështjen e presidentit, pasi sipas tij, pritet fillimisht certifikimi.
Në anën tjetër, ndërkombëtarët bëjnë thirrje për stabilitet institucional.
Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka thënë se stabiliteti institucional mbetet kyç për Kosovën në rrugën drejt përfitimeve nga Bashkimi Evropian.
Këto komente Palatova i ka bërë pasi mirëpriti në Prishtinë Drejtoreshën për Zgjerim të BE-së dhe Fqinjësinë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.
Sipas Palatovës, Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe nga instrumentet mbështetëse të BE-së, përfshirë Planin e Rritjes dhe programin IPA.
“Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të BE-së, Plani i Rritjes dhe IPA”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.
Njohësit e zhvillimeve në vend kanë folur për “Bota sot” rreth thirrjeve të BE-së, ku sipas tyre, BE është e brengosur dhe e do Kosovën përfituese dhe partnere të saj.
Ata shtojnë se nëse kriza politike vazhdon mund të ketë pasoja jo vetëm në aspektin financiar e politik, por edhe në aspektet zhvillimore dhe strategjike.
“Prapavija” e mesazhit të BE-q
Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare janë të theksuar qartë dhe nuk ndryshojnë.
Sipas tij, mesazhi i Palatovas është që Kosova të ketë institucione funksionale që të gëzojë përfitimet, në të kundërtën do të përballet me pasoja dhe ndëshkime.

Analisti politik, Skënder Zogaj
“Mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare prej kohësh janë theksuar qartë dhe nuk ndryshojnë: që Kosova të bëhet partnere dhe përfituese e Bashkimit Evropian, duhet së paku të jetë një shtet normal, pra të ketë institucione funksionale. Nëse këtë nuk e bën, Kosova nuk mund të gëzojë asnjë lloj përfitimi. Përkundrazi, do të përballet me pasoja dhe ndëshkime. Këtë mesazh e përcjell edhe deklarata e re e shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, e cila, duke ndjekur zhvillimet në skenën politike të Kosovës, ka arsye të jetë e brengosur. Me qëllimin më të mirë miqësor, ajo po thotë: mblidhni mend, mos veproni kundër vetvetes, krijoni institucionet dhe, më në fund, kuptojeni se jeni afër fundosjes politike”, deklaron Zogaj për “Bota sot”.
Sipas tij, është e kuptueshme që nëse vazhdohet me ngërçet pasojat do të jenë drastike.
“Unë kështu e kuptoj këtë, si edhe të gjitha deklaratat e miqve tanë, të cilët po mbeten të habitur nga indiferenca jonë e rrezikshme ndaj interesit historik për funksionalizimin e shtetësisë. Është krejtësisht e kuptueshme se, nëse vazhdohet me ngërçet, pasojat do të jenë drastike. Për këtë përgjegjësinë e mban e gjithë klasa jonë politike, pa asnjë dallim mes pozitës dhe opozitës, të cilat nuk duhet ta sakrifikojnë shtetin për pushtetin”, thekson analisti.
Pasojat për Kosovën nëse vazhdon kriza
Ndërsa, analisti Eudard Gashi, komentet e Palatovas i quan paralajmërim direkt për klasën politike të Kosovës.
Sipas tij, BE-ja e thotë qartë se Kosova nuk mund të hyjë seriozisht në fazën e re të integrimit evropian me institucione të bllokuara, me vendimmarrje të vonuar dhe me mungesë të përgjegjësisë politike.

Eudard Gashi
“Deklarata e shefes në detyrë të Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, nuk duhet lexuar si një formulim diplomatik rutinor. Ajo është një paralajmërim i drejtpërdrejtë për klasën politike në Kosovë: stabiliteti institucional nuk është më vetëm çështje e brendshme politike, por kusht praktik për të përfituar nga momenti i ri i zgjerimit të Bashkimit Evropian. BE-ja po thotë qartë se Kosova nuk mund të hyjë seriozisht në fazën e re të integrimit evropian me institucione të bllokuara, me vendimmarrje të vonuar dhe me mungesë të përgjegjësisë politike. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i lidhur me reforma konkrete, afate konkrete dhe pagesa të kushtëzuara. Komisioni Evropian e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në tetor 2024, ndërsa fondet varen nga zbatimi i hapave reformues. (Enlargement and Eastern Neighbourhood). Për Kosovën, kjo nuk është çështje simbolike. BE-ja tashmë ka nisur parafinancimin prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa vendi ka marrë përsipër 111 hapa reformues në fusha si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, si dhe kapitali njerëzor. (eeas.europa.eu)”, shprehet Gashi për “Bota sot”.
Vonesat në krijimin ose funksionalizimin e institucioneve, sipas Gashit, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta.
Ai mesazhin e Palatovës e konsideron të rëndësishëm në një kohë kur vendet e tjera të rajonit po lëvizin përpara në kuadër të Planit të Rritjes.
“Prandaj, vonesa në krijimin ose funksionalizimin e institucioneve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta. Ajo e dobëson kapacitetin e Kosovës për të miratuar ligje, për të zbatuar reforma, për të negociuar me BE-në dhe për të dëshmuar seriozitet politik. Në praktikë, kjo mund të përkthehet në vonesa të pagesave, humbje të afateve reformuese dhe rrezik për mosshfrytëzimin e plotë të fondeve evropiane. Mesazhi i Palatovës është edhe më i rëndësishëm sepse vjen në një kohë kur vendet e tjera të rajonit po lëvizin përpara në kuadër të Planit të Rritjes. Komisioni Evropian ka miratuar lirime fondesh për vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, çka tregon se konkurrenca rajonale për përfitime konkrete nga BE-ja është reale”, thekson Gashi.
Në fund ai shton se Kosova mund të humbasë jo vetëm para, por edhe ritëm politik.
Sipas tij, nëse kriza vazhdon, kostoja nuk do të jetë vetëm politike; ajo mund të jetë financiare, zhvillimore dhe strategjike
“Në këtë kuptim, Kosova rrezikon të humbasë jo vetëm para, por edhe ritëm politik. Në procesin e zgjerimit, momentumi ka rëndësi. Një vend që nuk arrin të krijojë institucione funksionale dërgon sinjal pasigurie te Brukseli, investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë. Përfundimisht, mesazhi i BE-së mund të përmblidhet kështu: Kosova ka mundësi reale për të përfituar nga fondet dhe dinamika e re evropiane, por këto mundësi nuk janë të garantuara. Ato kërkojnë institucione stabile, reforma të matshme dhe përgjegjësi politike. Nëse kriza vazhdon, kostoja nuk do të jetë vetëm politike; ajo mund të jetë financiare, zhvillimore dhe strategjike”, përfundon analisti.
