Në fjalën e tij përfundimtare në procesin që po zhvillohet në Hagë, avokati i Rexhep Selimi, Eric Tully, ka kundërshtuar pretendimet e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me rolin e klientit të tij si ministër i Rendit Publik.
Tully e nisi paraqitjen duke theksuar se do të trajtojë tri tema në emër të Selimit: pretendimet për kontroll mbi policinë, çështjen e disa shkrimeve dore që pretendohet se janë bërë nga Selimi, si dhe përjashtimet sipas Rregullit 140 që, sipas tij, mbulohen nga Prokuroria.
Duke u ndalur te tema e parë, ai kundërshtoi pretendimin se Selimi kishte kontroll mbi një strukturë të ashtuquajtur “Policia e UÇK-së”.
“ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”, tha Tully, duke shtuar se termi “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” është një tezë e ndërtuar nga Prokuroria.
“Termi ‘polici e UÇK-së’ është një tezë e ZPS-së, e hartuar si një kosh ku ajo mund të hedhë sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një forcë policie dhe që drejtohej nga zoti Selimi si ministër i Rendit Publik. Është një përpjekje për të krijuar një përshtypje të gabuar dhe ky argument nuk qëndron”, deklaroi ai.
Sipas avokatit, pas qershorit 1999, UÇK-ja dhe policia ushtarake e saj kanë qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave dhe jo nën autoritetin e Selimit.
“Pas qershorit, UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së kanë qenë nën komandën dhe përgjegjësinë e komandantëve të zonave. Nuk ka qenë në përgjegjësinë e zotit Selimi. Nuk ka ekzistuar një polici e tillë e UÇK-së apo e Ministrisë së Rendit Publik që është organizuar apo mbikëqyrur nga Selimi, siç pretendon ZPS-ja”, theksoi Tully.
Ai shtoi se Prokuroria nuk ka paraqitur prova që vërtetojnë se veprimet apo mosveprimet e Selimit si ministër i Rendit Publik kanë ndikuar në kryerjen e krimeve të përfshira në aktakuzë, apo se ai mban përgjegjësi për veprimet e personave të tjerë.
“ZPS-ja nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e zotit Selimi kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë, apo që ai është përgjegjës për veprimet e personave të tjerë lidhur me këto krime”, u shpreh avokati.
Tully vuri në dukje edhe mospërputhje, sipas tij, në përshkrimin që Prokuroria i bën autoritetit të Selimit në dosjen përfundimtare, duke thënë se përdoren terma të ndryshëm si “kontroll operativ” dhe “autoritet operacional”, pa u mbështetur me prova konkrete.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohet në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.
