Lajme

Mbrojtja e të dënuarit për vrasjen në Dumnicë kërkon nga Apeli aktgjykim lirues, pala e dëmtuar burgim të përjetshëm

Në Gjykatën e Apelit të enjten u shqyrtuan ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku Besnik Salihu është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen në Dumnicë të Podujevës, ndërsa vëllai i tij Ilaz Salihu ishte liruar nga akuza për ndihmë në vrasjen e rëndë.

Seanca u mbajt para kolegjit të Apelit i përbërë nga Xhevdet Abazi- kreytar i kolegjit, Skender Çoçaj- gjyqtar referues dhe Arben Hoti-anëtar, raporton“Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Çoçaj njoftoi se kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kanë parashtruar Prokuroria Themelore e Prishtinës për të gjitha bazat ankimore, duke propozuar që Apeli të ndryshojë aktgjykimin lidhur me pjesën e lirimit të të akuzuarit Ilaz Salihu, ndërsa për të akuzuarin Besnik Salihu të bëhet rikualifikimi i veprës penale në “Vrasje të rëndë”, dhe t’i shqiptohet dënim më i lartë.

Ankesë ka parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Salihu, avokati Arlind Fetahu, për shkelje esenciale të dispoziave të procedurës penale, shkelje të Ligjit Penal dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, me propozimin që aktgjykimi të ndryshohet dhe ndaj të mbrojturit të tij të merret aktgjykim lirues ose rasti të kthehet në rigjykim.

Kundër vendimit të Themelores, ankesë ka parashtruar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa, duke propozuar që aktgjykimi të ndryshohet dhe i akuzuari Besnik Salihu të dënohet me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë.

Ndërsa, për të akuzuarin Ilaz Salihu u kërkua që të shpallet fajtor për “Ndihmë në vrasje të rëndë”, duke propozuar që të dënohet me dënimin maksimal të paraparë për këtë vepër penale.

Ankesën e Prokurorisë Themelore, përmes parashtresës e ka mbështetur edhe Prokuroria e Apelit, duke propzuar aprovimin e ankesës së Themelores.

Edhe në seancë, palët mbetën pranë ankesave dhe propozimeve të dhëna përmes ankesave ndaj vendimit të Themelores.

Ndërsa, i akuzuari Besnik Salihu para kolegjit të Apelit deklaroi se ndaj tij dhe vëllait të tij është zhvilluar proces i padrejtë, duke shtuar se nuk kanë të bëjnë me rastin e ndodhur.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2026 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim për rastin e vrasjes së S.S., pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje” dhe për armëmbajtje pa leje. Kurse, vëllai i tij, Ilaz Salihu u lirua nga akuza.

Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S., ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu akuzohej ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.

I njëjti ngarkohej edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, në aktakuzës thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.

Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu akuzohej ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së.

Të Ngjashme