Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Jeton Ukës i akuzuar për mashtrim me mobilim të banesës. Seanca dështoi pasi mbrojtësi i Ukës, avokati Yll Zekaj tha se përveç aktakuzës nuk posedojnë asnjë shkresë tjetër.
Me të nisur gjykimi, avokati Zekaj ia dorëzoi Gjykatës autorizimin që është angazhuar nga Uka më 27 nëntor 2025 dhe tha se janë të pajisur vetëm me aktakuzë, ndërkaq nuk ka asnjë nga shkresat e tjera të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas avokatit Zekaj, avokatja e kaluar e ka njoftuar se nuk ka në posedim shkresa të tjera të lëndës. Ai i propozoi Gjykatës që të bëhet kthimi në gjendjen e mëparshme, pasi që edhe shqyrtimi fillestar është mbajtur pa u pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, duke shtuar se nuk ka pasur se si të bëhet kundërshtimi i provave në mungesë të tyre.
Gjithashtu, avokati Zekaj tha se Prokuroria ka dështuar të përmbush detyrimin ligjor, siç e përcakton Kodi i Procedurës Penale, që kur dorëzohet aktakuza së bashku me të dorëzohen edhe të gjitha shkresat e lëndës.
Në anën tjetër, prokurori Ali Hajdini tha se kanë telefonuar dhjetëra herë avokaten që ka qenë e angazhuar sipas detyrës zyrtare, mirëpo sipas tij, ajo nuk është lajmëruar për tu pajisur me shkresat e lëndës.
Prokurori Hajdini më pas dorëzoi në seancë shkresat e lëndës, për çka avokati Zekaj kërkoi kohë që të njëjtat të analizohen.Më pas, gjykatësja e rastit, Albana Ukshini aprovoi kërkesën e avokatit Zekaj, duke ndërprerë seancën, me arsyetimin se është e drejtë ligjore që mbrojtësi të pajisjet me shkresa dhe të konsultohet me to me qëllim të dhënies së mbrojtjes efektive.
Ndërkaq, për propozimin për kthim në gjendjen të mëparshme, gjykatësja Ukshini tha se kur është mbajtur seanca fillestare, sipas procesverbalit, avokatja nuk e ka kundërshtuar mbajtjen e saj.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 20 dhjetor 2023, i akuzuari Jeton Uka akuzohet se prej datës 1 shkurt 2023 në vazhdimësi në Prishtinë, duke fshehur faktet, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme, e ka vënë në lajthim të dëmtuarin H.G.
Me këtë veprim, aktakuza thotë se i pandehuri e ka shtyrë H.G., të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në mënyrë që t’ia marrë 6 mijë euro të dëmtuarit për mobilim të banesës, mirëpo nuk ia ka kryer mobilimin e banesës e as nuk ia ka kthyer shumën prej 6 mijë euro.
Për këto veprime, Uka ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


