Lajme

Mbyllet edhe Merdarja – Sveçla: Qytetarët që duan të kalojnë tranzit nëpër Serbi po ndalen në mënyrë fashiste

Mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë, kështu ka njoftuar ministri i brendshëm Xhelal Sveçla.

Sveçla përmes një shkrimi në Facebook thotë se kjo mbyllje erdhi pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që thotë se po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë.

“Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situates”, shkroi Sveçla.

Ndryshe, Sveçla pak orë më parë njoftoi se për shkak të sigurisë së qytetarëve është mbyllur kufiri në Bërnjak.