Lajme

Mbyllet faza e aplikimit për 1200 vende të lira pune në administratë

TIRANË- Të rinjtë që kanë përfunduar studimet në ciklin e parë “Bachelor” dhe duan të angazhohen në praktikë punë në institucionet publike kanë këtë të enjte afatin e fundit për të aplikuar. Janë të paktën 1200 vende të lira të institucioneve qendrore, vendore si dhe ato të varësisë që sipas nevojës mund të ofrojnë për të rinjtë një pozicion të përkohshëm si pjesë e praktikave kombëtare të punës. Aplikimet u hapën në 8 korrik dhe mbyllen në 15 gusht(sot).

Thirrja e nëntë u shpall nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, në Administratën Shtetërore, Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, Institucionet Publike të Pavarura dhe Institucionet e tjera private. Ky program është një mundësi për të rinjtë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”.

Programi do të fillojë në shtator 2024 dhe do të përmbyllet në dhjetor 2024. Për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar i Praktikave të Punës, të rinjtë duhet të aplikojnë online. Institucionet argumentojnë se aplikimi për praktikat kombëtare të punës është një prej formave të duhura për tu orientuar dhe angazhuar në një fazë të dytë në një karrierë në administratë.

“Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi ju mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private.

Gjatë fazës së parë të këtij programi do të realizoni detyra dhe angazhime në institucionet përkatëse, bazuar në një plan pune tre – mujor, të drejtuar nga një mbikëqyrës.

Institucionet bëjnë përzgjedhjen e praktikantëve që do të punësohen me kontratë 1 vjeçare, duke u bazuar tek performanca e vlerësimit të praktikantëve si dhe nevojave të secilit institucion” nënvizohet në njoftimin e programit./ Monitor