Pedro Sanchez ka njoftuar nisjen, duke filluar nga muaji janar, të një aboneje unike për transportin publik në Spanjë, me kosto 60 euro në muaj, e vlefshme për trenat e udhëtarëve, trenat e distancave të mesme dhe autobusët kombëtarë.
Për të rinjtë nën moshën 26 vjeç, çmimi do të jetë i reduktuar në 30 euro në muaj.
Kjo abone do të vlejë për të gjithë 2026-ën dhe është paraqitur si një angazhim për lëvizshmëri të qëndrueshme dhe për mbështetjen e shtresës së mesme dhe punëtore, me synimin për ta bërë transportin e përditshëm më të përballueshëm dhe më të aksesueshëm.
Sipas vlerësimeve, ajo mund të ulë deri në 60% shpenzimet e transportit për punëtorët dhe të përfitojnë rreth dy milionë persona.
Abonimi do të jetë i vlefshëm për trenat rajonalë dhe suburbanë, si edhe për linjat kryesore të autobusëve, duke shtrirë në nivel kombëtar një sistem që deri më tani ka qenë i fragmentuar. Masa ndjek një prirje tashmë të konsoliduar në Evropë, të ngjashme me përvojën gjermane, ku ofrohet një biletë mujore e vlefshme për trenat dhe transportin urban. Megjithatë, ende nuk janë bërë publike të dhëna mbi koston totale për financat publike.
Njoftimi vjen në një moment të vështirë për qeverinë e koalicionit të Sánchez-it, e cila po përballet me skandale të brendshme, përfshirë akuza për korrupsion dhe ngacmime seksuale që kanë përfshirë anëtarë të Partisë Socialiste (PSOE).
Pavarësisht presioneve për zgjedhje të parakohshme, Sánchez ka hedhur poshtë idenë e shpërndarjes së parlamentit përpara vitit 2027, duke argumentuar se vendi është në rritje dhe se qeveria ka ende hapësirë për të ndërhyrë.
Propozimi për abonenë është prezantuar si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj nevojave konkrete të qytetarëve.
/tiranapost


