Halil Geci në një postim të tij në facebook ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani me daljen e saj në protesën e 17 shkurtit, bëri shkelje të Kushtetutës.
Sipas Gecit, ajo iu bashkua karvanit në mbrojtje të të akuzuarve, ku fajësia e tyre thuajse është e provuar, duke përfshirë vrasjen e disa anëtarëve të LDK-së.
Ai thekson tutje se ‘përfshirja e Presidentes Osmani në protesta në rrugë dhe sheshe, haptas në mbrojtje të krimit, jo vetëm që përbën fyerje për viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, por paraqet një precedent të paimagjinueshëm në mijëvjeçarin e 21-të’.
Postimi i plotë:
PRESIDENTJA OSMANI, ME DALJEN E SAJ NË KRYE TË PROTESTAVE, BËN SHKELJE FLAGRANTE TË KUSHTETUTËS
“Përfshirja e Presidentes në protesta në mbrojtje të krimit – Një precedent i paimagjinueshëm.”
Derisa bota demokratike ka si synim kryesor zbulimin dhe parandalimin e vrasjeve, krimeve mizore dhe mbrojtjen e vlerave themelore të njeriut, përmes gjykatave kompetente dhe mekanizmave ligjorë, më 14 shkurt 2025, Presidentja Osmani iu bashkua karvanit në mbrojtje të të akuzuarve, të cilët fajsia e tyre thuajse është provuar, duke përfshirë raste me më shumë se 180 vrasje, shumica nga ta anëtarë të LDK-së dhe civilë të pambrojtur shqiptarë.
“As Kushtetuta, as ligjet nuk i japin presidentit ose presidentes të drejtën të mbrojë krimin ose të protestojë në rrugë për të mbrojtur krimin.”
Presidenti ose presidentja mund të përdorë mekanizmat kushtetues dhe ligjorë, deri te Këshilli i Sigurimit, kur bëhet fjalë për cenimin e të drejtave themelore, por jo për procedura gjyqësore, verifikim të gjendjes faktike apo aplikim të së drejtës materiale, që janë kompetencë ekskluzive e trupit gjykues.
Përfshirja e Presidentes Osmani në protesta në rrugë dhe sheshe, haptas në mbrojtje të krimit, jo vetëm që përbën fyerje për viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, por paraqet një precedent të paimagjinueshëm në mijëvjeçarin e 21-të.
