Daniele Sartini, një 29 vjeçar nga zona e Felloniche di Longiano në Itali, ka pranuar krimin e rëndë të vrasjes dhe tentativës për të fshehur trupin e shqiptarit Denaldo Maxhalaku. Ai është vrarë më 7 Tetor dhe karabinierët mundën të gjrnin trupin e shqiptarit vetëm më datë 28 Tetor.
Dje, nga hetimet është ndaluar dhe autori i dyshuar, i cili pas presionit gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar autorësinë. Daniele Sartini ka dhënë një rrëfim të plotë që sqaron çdo aspekt të çështjes, raportojnë mediat italiane.
29 vjeçari italian, një përdorues droge, akuzohet për vrasje dhe fshehje të një kufome. I riu, i mbrojtur nga avokatët Luca Arginelli dhe Antonio Baldacci, u zbërthye në fund të një marrjeje në pyetje të tensionuar të kryer nga karabinierët: “Isha unë,” pranoi ai. “Kisha frikë për veten dhe familjen time; u ndjeva i kërcënuar,” shpjegoi në deklaratë.
Ai i detyrohej shqiptarit Denaldo Maxhalaku 1,500 euro, pasi kishte blerë drogë dhe nuk kishte më para që t’ia kthente. Pavarësisht se 31 vjeçari shqiptar njihej në zonë si bojaxhi, ai ka pasur një dënim të lehtë për drogë.
Mbrëmjen e 7 Tetorit, të dy patën një takim për të diskutuar një borxh të lidhur me drogën, jashtë shtëpisë së Daniele Sartinit në Longiano.
Sipas asaj që kanë zbardhur mediat italiane, shqiptari i kërkoi me forcë paratë e tij, ndërsa 29-vjeçari, i cili ishte vetëm në shtëpi në atë kohë (ai jetonte me të atin), hyri brenda dhe mori armën, një Glock të kalibrit 40mm, dhe qëlloi tre herë në gjoks drejt Maxhalakut, i cili vdiq menjëherë.
“Më pas dyshohet se e ngarkoi trupin në makinën e tij dhe e fshehu në pus – një lloj vrime kulluese betoni – pranë fushave përpara se t’i vinte flakën makinës së bojaxhiut për të mbuluar çdo gjurmë. Autopsia do të bëhet në ditët në vijim”, raportojnë mediat italiane.
Hetimet, të kryera nga komandanti i Karabinierëve të Forlìt, Michele Trecca, i lejuan ata të gjurmonin Daniele Sartinin duke shqyrtuar të dhënat telefonike dhe duke vërtetuar se 29 vjeçari ishte i fundit që kishte pasur kontakt me viktimën. Atij iu sekuestrua arma dhe rrobat që kishte natën e krimit.
