Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me Presidenten Vjosa Osmani për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.
Gjatë takimit, Abdixhiku u informua për iniciativën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për themelimin e Bordit të Paqes, një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, si dhe përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Ai i shprehu Presidentes Osmani mbështetjen e plotë të LDK-së për këtë iniciativë, duke theksuar se forcimi i paqes, aleancave — veçanërisht me Shtetet e Bashkuara — dhe rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jenë prioritet.
LDK, sipas Abdixhikut, mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët strategjikë.
Postimi i plotë:
Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, sot gjatë ditës u takova me të për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.
Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes; një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
I shpreha Presidentes Osmanit mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë. Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë.
LDK mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë.