Lajme

“Më telefono dhe do ta zgjidhim” / Deklarata e Trumpit për Osmanin shihet si paralajmërim diplomatik ndaj Serbisë

Të enjten e kaluar u zhvillua takimi i parë i Bordit të Paqes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Në këtë ngjarje, me ftesë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pjesëmarrëse ishte edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë takimit, Trump shprehu vlerësime të veçanta për presidenten Osmani.

Ai e ftoi të ngrihej para të pranishmëve për ta përgëzuar për angazhimin e saj në kuadër të dialogut me Serbinë, duke shtuar se mund ta kontaktonte drejtpërdrejt në rast se do të përballej me sfida apo probleme me shtetin fqinj.

“Marr si shembull konfliktin Kosovë–Serbi. Unë e bëra këtë! Mund të çohesh pak, të lutem, vetëm një sekondë. Çfarë pune keni bërë! Faleminderit shumë, e vlerësoj. Shumë mirë! Dhe po shkoni mirë, dhe kur të mos shkoni më mirë, më telefono dhe ne do ta zgjidhim. Shumë faleminderit!”, tha Trump.

Fetoshi: Deklarata paraqet një mesazh të qartë mbështetës dhe garanci politike në raport me Serbinë

Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, vlerëson se deklarata e Donald Trump ka peshë simbolike, por edhe rëndësi diplomatike e gjeostrategjike për Kosovën.

Sipas tij, ajo përçon një mesazh të qartë mbështetjeje dhe riafirmon rolin e SHBA-së në raport me dialogun me Serbinë.

Ai thekson se kjo deklaratë forcon marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve dhe e pozicionon Kosovën si faktor stabiliteti në rajon.

Sipas Fetoshit, nuk bëhet fjalë për “kërcënim”, por për një paralajmërim të tërthortë, në kontekstin e vlerësimeve ndërkombëtare ndaj Serbisë.

Image
Arben Fetoshi

“Është një deklaratë simbolike në stilin e Presidentit Trump, por me rëndësi diplomatike e gjeostrategjike për Kosovën. Ajo paraqet një mesazh të qartë mbështetës dhe garanci politike në raport me Serbinë, duke shprehur interesimin dhe rolin e SHBA-së në zgjidhjen e këtij konflikti.

Një deklaratë e tillë e Presidentit Trump në takimin inaugurues të Bordit të Paqes riafirmon marrëdhëniet strategjike dhe vlerësimin për Kosovën si faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon. Pjesëmarrja në këtë iniciativë dhe angazhimi i FSK-së në misionin paqësor për Gazën padyshim e avancon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, jo vetëm si rreshtim transatlantik, por edhe si përkushtim ndaj paqes e vlerave të demokracisë.

Pra, deklarata nuk është “kërcënim” ndaj Serbisë, por mund të interpretohet si një “paralajmërim”, nëse kihet parasysh vlerësimet ndërkombëtare që e ekspozojnë Serbinë si kërcënim dhe burim destabiliteti në Ballkanin Perëndimor” – u shpreh Fetoshi për “Bota sot”.

Racaj: Deklarata është më shumë një sinjal i fuqisë diplomatike dhe i mbështetjes strategjike sesa një kërcënim i hapur

Ish-gjenerali, Muhamet Racaj, vlerëson për “Bota sot”, se deklarata e Donald Trump drejtuar presidentes Vjosa Osmani duhet parë në kontekst diplomatik, jo si kërcënim.

Image
Muhamet Racaj

Sipas tij, ajo sinjalizon mbështetje dhe gatishmëri të SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën në sfidat me Serbinë.

“Deklarata e Presidentit Donald Trump, kur iu drejtohet Presidentes Vjosa Osmani me fjalët “nëse nuk shkoni mirë me Serbinë, më telefononi”, duhet kuptuar në kontekst diplomatik dhe jo si një kërcënim i drejtpërdrejtë. Ajo reflekton një formë të njohur të politikës amerikane: angazhimi personal i presidentit në mbështetje të dialogut dhe forcimi i marrëdhënieve ndërmjet palëve përmes një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi. Nuk përbën kërcënim ushtarak ndaj Serbisë, por sinjalizon gatishmërinë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën në përballimin e sfidave diplomatike dhe në sigurimin e marrëveshjeve të favorshme”, thotë ai.

Derisa, nga këndvështrimi gjeostrategjik, Racaj thekson se deklarata pasqyron pozitën më të favorshme të Kosovës falë mbështetjes së SHBA-së dhe NATO-s, duke i dhënë avantazh në siguri dhe negociata. .

“Nga perspektiva gjeostrategjike, kjo deklaratë mund të interpretohet si një vlerësim i pozitës më të fortë të Kosovës në raport me Serbinë në disa dimensione: legjitimitet ndërkombëtar, mbështetje amerikane dhe evropiane, si dhe pozicion i favorshëm në rajon. Në aspektin e sigurisë, mbështetja e SHBA-së dhe e NATO-s ofron një shtresë shtesë sigurie për Kosovën, duke i dhënë asaj një avantazh krahasimisht me Serbinë në negociatat rajonale dhe menaxhimin e sfidave të sigurisë.

Në përfundim, deklarata është më shumë një sinjal i fuqisë diplomatike dhe i mbështetjes strategjike sesa një kërcënim i hapur. Ajo thekson rëndësinë e diplomacisë aktive dhe të qasjes së mençur në raportet ndërkombëtare për të ruajtur stabilitetin dhe pozicionin gjeostrategjik të Kosovës” – përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme