Lajme

Media në Kosovë mes presioneve të jashtme dhe kritikave të brendshme

Kosova sivjet ka shënuar përparim me 15 vende më lartë se vitin që lamë, në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.

Megjithëkëtë, ndër vite, por edhe tani, mediat në Kosovë janë sfiduar në forma të ndryshme, përfshirë edhe ndikimet nga jashtë.

Është lajm i mirë sepse Kosova i është nënshtruar për një periudhë të gjatë luftës hibride serbo-ruse dhe në këtë kuadër sigurisht që ka pasur vështirësi. Edhe mediat kanë qenë në një pozicion të palakmueshëm, ndoshta edhe objektivi kryesor i kësaj lufte hibride. Në këtë kuadër, shënimi i suksesit është dëshmi se Republika ka filluar të funksionojë mirë”, ka thënë Sadri Ramabaja.

Goditjet që vendi ynë merr nga jashtë kryesisht lidhen me dezinformata dhe propagandë që vijnë nga Serbia dhe Rusia, vende këto që përmes mediave të tyre, por edhe brenda Kosovës, tentojnë të përdorin organizata ndërkombëtare dhe parti politike si motra për të kundërshtuar dhe zbehur realitetin e ri dhe për të krijuar imazh negativ për Kosovën.

“Jo rrallë herë janë përdorur edhe mediat e rajonit kundër Kosovës, ndërsa dezinformatat kryesore lidhen me çështje politike dhe me pretendimet se Kosova po cenon të drejtat e serbëve në Kosovë. Vazhdimisht zhvillohen fushata të ndryshme, ndërsa së fundmi, pas rastit të Gjykatës Speciale në Hagë, po qarkullojnë dezinformata të ndryshme”, ka thënë Gurakuq Kuçi nga instituti Octopus.

“Shpeshherë edhe polarizimi dhe paqëndrueshmëria politike janë shfrytëzuar nga aktorë dashakeqës për të dezinformuar për çështje të ndryshme. Ka edhe aktorë të jashtëm që shpesh është vështirë të identifikohen”, ka thënë Fitim Gashi nga Sbunker.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, qytetarët shprehen të zhgënjyer nga disa media që, sipas tyre, keqpërdorin lirinë e shprehjes.

“Shumë pak e përcjell mediat, por nuk përdoret gjithmonë gjuhë adekuate që i përgjigjet sjelljeve normale të njeriut. Mediat ndikojnë shumë në opinion, prandaj duhet pasur kujdes”, ka thënë qytetari Ilir Hapqiu.

“Sa i përket nivelit të demokracisë, ka media që janë të mira dhe analistë të shkëlqyer, por ka edhe të tjerë që nuk meritojnë të shikohen”, ka thënë qytetari Hilmi Dauti.

Mediat mbeten faktor kyç në krijimin e një opinioni më të gjerë publik, ndaj liria e shprehjes nuk nënkupton keqpërdorim të saj.

Të Ngjashme