Sot nis procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, lidhur me akuzat për falsifikim të diplomës universitare. Por paralelisht me këtë çështje, mediat turke janë përqendruar fort në një tjetër zhvillim që lidhet me jetën e tij personale.
Në 24 orët e fundit ka shpërthyer një stuhi reagimesh pas dëshmisë së një influencueseje, e cila pretendon se İmamoğlu ka pasur një lidhje jashtëmartesore me volejbollisten e njohur Derya Çayrgan. Sportistja u arrestua disa orë më parë gjatë një operacioni të Drejtorisë kundër Drogës, ku u vunë në pranga edhe 18 persona të tjerë.
Sipas gazetës proqeveritare “Sabah”, në total janë arrestuar 19 persona, pjesa më e madhe e të cilëve dyshohet për përfshirje në trafikun e drogës. Emri i Çayrgan u përfshi në këtë operacion, pa u bërë të ditur ende roli i saj konkret në hetim.
Pretendimet për një marrëdhënie mes saj dhe kryebashkiakut të Stambollit po qarkullojnë prej ditësh si në mediat opozitare, ashtu edhe në ato pranë qeverisë, ndërsa deri tani nuk ka pasur asnjë reagim apo mohim zyrtar nga İmamoğlu apo stafi i tij.
Mediat turke kanë risjellë në vëmendje edhe një deklaratë të vjetër të sportistes, e bërë rreth dy vite më parë, ku ajo kishte pranuar se kishte në kontaktet e saj numrin e telefonit të İmamoğlu-t, pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë, influencuesja Rabia Karaca, e arrestuar gjithashtu, ka deklaruar se Çayrgan ishte “mikeshë e İmamoğlu-t” dhe se ai ishte kujdesur për të, duke i mbuluar disa shpenzime. Këto deklarata mbeten ende pjesë e hetimeve.
Analistët thonë se autoritetet po ndërtojnë një imazh të rënduar për kryebashkiakun e Stambollit, duke e lidhur atë me akuza për diplomë të rreme, probleme financiare dhe skandale personale, megjithëse deri tani asnjë prej tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht.
/tiranapost
