Lajme

Mediu pas dëshmisë së Ylli Pinarit: Gërdecin nuk e caktoi Ministria e Mbrojtjes

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka mbajtur një komunikim të shkurtër me gazetarët pas përfundimit të seancës së radhës për Gërdecin, ku dëshmoi Ylli Pinari.

Ai tha se Gërdecin nuk e caktoi Ministria e Mbrojtjes, por kompania private, gjë që sipas tij u vërtetua sot.

Mediu i bëri thirrje shtetit që të bëjë një analizë se pse ndodhi tragjedia pasi para shpërthimit, fabrika e Gërdecit u cilësua më e mirë se fabrika e demontimit në Mjekës.

Në këtë seancë doli se Gërdecin nuk e caktoi Ministria e Mbrojtjes, por kompania private. Unë nuk kam pasur njohje me kompanitë private të demontimit. Madje caktimi i disa detyrave për MEICO nuk u formuluan nga unë, por nga Shtabi i Forcave të Armatosura.

Para shpërthimit, fabrika e Gërdecit u cilësua më e mirë se fabrika e demontimit në Mjekës.

Nuk ka asnjë diskutim për këtë çështje, madje vlerësimi ka qenë pozitiv. Gercedi është konsideruar investim shumë herë më i mirë sesa investimet e bëra nga vetë NATO. Vetë shteti duhet të bëjë një analizë të vetën se pse ndodhi tragjedia.

Është në interes të Shqipërisë, jo të Mediut që të bëjë një vlerësim të situatës së ndodhur,” tha Mediu.

Mediu akuzohet për dy vepra penale për “Shpërdorim detyre”, njëra e parashikuar nga Kodi Penal dhe tjetra nga Kodi Penal Ushtarak, pasi në kohën që ka ndodhur ngjarja ai ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe ngarkohet dhe me përgjegjësi për zbatimin e Kodit Penal Ushtarak.

15 VITE NGA TRAGJEDIA E GËRDECIT

Më 15 mars të vitit 2008 Tirana do të lëkundej nga një shpërthim i fuqishëm i ndodhur vetëm pak kilometra larg, në fshatin e quajtur Gërdec. Një magazinë e kthyer në “fabrikë” për demontimin e armëve shpërtheu duke u marrë jetën të paktën 26 personave, ndërsa qindra të tjerë mbeten të plagosur. Shumë shtëpi u shkatërruan totalisht dhe shpërthimi krijoi një krater të madh.

Sot, 15 vite pas ngjarjes askush nuk është dënuar për jetët e marra. Kryeministri i kohës, Sali Berisha do të deklaronte se përpara shpërthimit nuk e dinte se ekzistonte një fshat i quajtur Gërdec. Një javë pas tragjedisë, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dha dorëheqjen.

Ky shpërthim i mori jetën 26 njerëzve të pafajshëm, mes të cilëve gra dhe fëmijë të mitur, ndërkohë u plagosën mbi 300 të tjerë.

Opozita e asaj kohe akuzoi ashpër qeverinë e Berishës për tragjedinë dhe përfshirjen në një rrjet të madh trafikimi armësh. Prestigjozja amerikane “Neë York Times” publikoi disa shkrime për ngjarjen, duke hedhur dyshime mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë në këtë aferë. Berisha e konsideroi gazetën amerikane si “letër higjenike”.

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo