Lajme

Mega-grabitja e Rinasit/ Zbardhen detaje të reja nga bisedat e SKY, Talo Çela dyshoi se Admir Murataj u “vra” nga…

Nga bisedat e zbardhura në aplikacionin Sky Ecc duket se Talo Çela ishte i bindur që truri i super-grabitjes së Rinasit në prill të 2019, Admir Murataj, nuk u vra nga policia por nga shokët. Dyshimet më të mëdha Çela i ka të Eldi Çala që e përmend me nofkën “Greku i vogël”. Talo Çela shprehet në bisedat në aplikacionin e enkriptuar me Mikael Qosen, teksa ky i fundit është një nga personat më të besuar të vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja.

“Po kam frikë tjetër unë se gjithmonë s’ka provë, por kam hall mos e ka vrarë dajën (Admir Muratin) gabimisht një nga këta si ‘greku i vogël’, shembull që s’e takonte vëllain e “Dajës”. Pse nuk e takonte ai? S’ka gjë të keqe edhe gabimisht tha ai s’ka gjë, por robi e takon. Dhe dosja mbahet sekret dhe shpërthen në gjyqe ekspertiza për “Dajën” mbase del distancë e afërt 2 deri në 4 metra distancë, gabimisht nga kallashi. I bie nga shokët, se të zinjtë (policia), kanë pasur armë ‘Barretta” automatike, kanë gjujt mbi 50 metra larg, nuk mund ta shpoj kokën tej për tej, por se di tani ishalla i kanë gjujt të zinjtë mos ngeli nga ana jonë. Se vëllai i tij thoshte është vrarë nga shokët gabimisht. Kjo është e keqe për të gjithë pastaj”, deklaron Talo Çela.

Talo Çela u shpall në kërkim pas grabitjes së 9 Prillit 2019, të miliona eurove ku një grup i armatosur i drejtuar nga Admir Murataj dhe Klement Çala, u përballën me ndërhyrjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ku nga të dhënat zyrtare në atë kohë u tha se Murataj u vra nga policia.