Lajme

Mehmeti: LVV mund të nisë rënien e saj nëse vazhdon kjo qasje e Kurtit ndaj krizës politike

Publicisti Kim Mehmeti në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë, duke folur për situatën rreth zgjedhjes së presidentit dhe raportet mes pushtetit dhe opozitës.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mund të përballet me rënie nëse kryetari i saj, Albin Kurti, vazhdon të veprojë në mënyrë iracionale në disa çështje, megjithëse, siç thekson ai, Kurti nuk e ka obligim që t’ua gjejë apo t’ua sigurojë votat opozitarëve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit apo për çështje të tjera politike.

Mehmeti shton se opozita mund ta mposhtë Vetëvendosjen vetëm nëse paraqet një kandidat më të mirë, ndërsa thekson se përgjegjësia për situatën aktuale politike nuk i takon vetëm një pale, pasi sipas tij të gjitha palët janë të përfshira në përplasje dhe inate brendapartiake.

“LVV është afër të nis rënien e saj, nëse kryesuesi i VV-së vazhdon të jetë irracional në disa gjëra ku ai edhe ka të drejtë sepse nuk e ka për obligim të ua gjej, të ua bëjë kryetarin opozitarëve, ata mund ta mposhtin Vetëvendosjen me një kandidat më të mirë, këtu nuk ka një palë fajtore janë të tërë të përfshirë në ato inate brenda partiake, e fshehin dobësinë e tyre që të iu tregojnë kosovarëve se në Kosovë është problem Kushtetuta, është lojë e vogël kjo se kush do e propozoj kë për president. Kurti nuk mundi të ia bënë votat kandidatit të vet Glauk Konjufcës e si do të ia bënte Vjosa Osmanit. Opozita në Kosovë e din çfarë nuk donë, por nuk din çfarë donë ky është një problem i madh, në Kosovë ka një gjë që i vetmi që vepron dhe mendon politikisht është kryetari i LVV-së, tjerët mendojnë dhe veprojnë si tregtar”, ka deklaruar Mehmeti.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani mëngjesin e së premtes ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Pas kësaj, ajo ka zhvilluar takime me partitë opozitare, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve të reja parlamentare. Pas takimit me presidenten, partitë opozitare kanë deklaruar se janë të gatshme për zgjedhje të reja parlamentare, të cilat do të ishin të tretat brenda rreth një viti në Kosovë. /teve1.info/

Të Ngjashme