Mekanizmi misterioz i Antikitherës mund të mos ketë qenë një pajisje qiellore enigmatike për matje, por thjesht një lodër e prirë për t’u bllokuar shpesh. Dhe sekreti i qëllimit të tij të vërtetë, sipas një studimi të ri, qëndron te dhëmbët e tij me formë trekëndore.
I zbuluar në një anije të fundosur në vitin 1901, Mekanizmi i Antikitherës ka mbetur një enigmë për më shumë se një shekull. Disa vite më parë, skanimet sugjeruan se pajisja 2000-vjeçare ishte një mjet astronomik.
Me një manivelë dore, shumë ingranazhe që ndërthuren dhe tregues të ndryshëm, mekanizmi dukej se mund të kryente një sërë funksionesh: përcaktimin e datës sipas kalendarëve egjiptianë dhe grekë, shfaqjen e pozicioneve të diellit, hënës dhe planeteve brenda zodiakut, dhe parashikimin e eklipseve të ardhshme diellore dhe hënore.
Por, a ishte vërtet matja qiellore qëllimi i këtij objekti magjepsës? A ishte një kompjuter i fuqishëm, apo një lodër e thjeshtë? Dhe a ishte një ekzemplar i vetëm për një klient të pasur, apo një shembull i një vegle të prodhuar në masë?
Prej dekadash, studiuesit janë përpjekur të kuptojnë sa i saktë ishte mekanizmi, pasi kjo do ndihmonte në përcaktimin e qëllimit të tij. Nëse nuk ishte shumë i saktë, për shembull, mund të ketë qenë një lodër apo një model edukativ. Por nëse ishte jashtëzakonisht i saktë, ndoshta përdorej nga astrologë të oborrit për të bërë parashikime dhe horoskopë.
Fatkeqësisht, mekanizmi i Antikitherës qëndroi për më shumë se dy mijë vjet në fund të detit, dhe për një kohë të panjohur në funksionim përpara kësaj. Ingranazhet janë shumë të gërryera dhe shumë pjesë mungojnë.
Në studimin e ri, të paraqitur më 1 prill në serverin e arXiv, shkencëtarë argjentinas krijuan një simulim kompjuterik që riprodhonte lëvizjet e mekanizmit të Antikitherës. Ky simulim përfshinte edhe gabimet e shkaktuara nga natyra e pasaktë e ndërtimit të tij, ku ingranazhet nuk kishin hapësira të sakta mes tyre.
Në mënyrë thelbësore, ndryshe nga përpjekjet e mëparshme për të rikrijuar mekanizmin, studiuesit përfshinë edhe një model të saktë të dhëmbëve me formë trekëndore të ingranazheve, të cilët ndikojnë se sa mirë ndërveprojnë ingranazhet dhe sa saktë treguesit shënojnë objektivat astronomikë.
Nga ky model, studiuesit zbuluan se mkanizmi nuk ishte shumë funksional. Mund të rrotullohej vetëm për rreth katër muaj në të ardhmen përpara se të bllokohej ose që ingranazhet të shkëputeshin. Përdoruesi do duhej të rindizte gjithçka nga fillimi, njësoj si të rregullosh një printer modern. Duke pasur parasysh që treguesit e datës mbulojnë një vit të tërë, ky problem me bllokimin duket i pafat.
Një mundësi është që mekanizmi i Antikitherës ishte një lodër luksoze që nuk ishte menduar të ishte e saktë, ose që vinte me një manual përdorimi që udhëzonte përdoruesin ta rivendoste pas disa rrotullimeve, si një orë mekanike që kërkon mbështjellje të rregullt me dorë.
Por, duke marrë parasysh mjeshtërinë e qartë që është përdorur për të ndërtuar një pajisje kaq komplekse, studiuesit nuk besojnë se ishte thjesht një lodër e dobët. Nëse nuk ishte menduar të ishte e saktë apo e detajuar, përse të bëhej gjithë ai mundim?
Një mundësi tjetër, që studiuesit e konsiderojnë më të mundshme, është që matjet aktuale të ingranazheve dhe dhëmbëve janë të pasakta. Skanerët CT ofrojnë vetëm një nivel të caktuar rezolucioni, dhe dy mijë vjet korrozion mund të kenë shtrembëruar ose deformuar përbërësit përtej gjendjes së tyre fillestare. Krijuesit origjinalë të Mekanizmit mund ta kenë ndërtuar atë me saktësi të mjaftueshme për të shmangur bllokimet dhe për të ofruar parashikime të besueshme për vite me radhë.
Në çdo rast, mekanizmi i Antikitherës përfaqëson kulmin e mjeshtërisë inxhinierike antike. Dhe pavarësisht teknologjisë moderne dhe mjeteve si skaneri CT, qëllimi i tij përfundimtar mund të mbetet përgjithmonë një mister. / Live Science – Syri.net
