LifeStyle

Melanoma kutane; si ta dalloni, diagnostikimi dhe trajtimi. Këshilla nga dr Erinda Kollçaku

Dr. Erinda Kollçaku MD, Luxe SkinClinic-Dermatologe klinike dhe estetike

Melanoma Kutane

Melanoma kutane është një formë veçanërisht agresive e kancerit që e ka origjinën nga melanocitet, qelizat që prodhojnë pigment që rrjedhin nga kreshta nervore. Pavarësisht se përfaqëson vetëm 4% të të gjithë kancereve të lëkurës, melanoma përbën deri në 75% të vdekjeve të lidhura me kancerin e lëkurës. Megjithatë, me diagnostikimin e hershëm dhe ndërhyrjen e duhur, mbi 90% e rasteve mund të kurohen.
Melanoma mund te zhvillohet de novo, pra kemi shfaqje te nishaneve te reja, te cilat duhet te ekzaminohen nga dermatologu, ose mund te kemi transformime mbi nishanet ekzistuese.

Patogjeneza e melanomes është multifaktoriale, duke përfshirë faktorë gjenetikë dhe mjedisorë. Rrezatimi ultravjolet, qoftë nga drita natyrale ose nga burime artificiale, është faktori më i rëndësishëm i riskut mjedisor për melanomen kutane.
Duhet permendur si dhe individët me pigment më të hapur kanë rrezikun më të lartë të zhvillimit të melanomes për shkak të niveleve më të ulëta të melaninës . Ky fakt i ben këta individë më të prirur për të zhvilluar djegie nga dielli.

Një numër më i lartë i nishaneve shoqërohet gjithashtu me një risk me te larte.
Një histori familjare e melanomes e rrit më tej këtë rrezik, duke u bazuar ne sjellje të përbashkëta të ekspozimit ndaj diellit ose mutacioneve gjenetike të trashëguara.

Incidenca

Melanoma e lëkurës përbënte 4 për qind të të gjitha diagnozave të reja të kancerit në vendet e BE-27 në vitin 2020 dhe 1.3 për qind të të gjitha vdekjeve për shkak të kancerit, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Kancerin.
Ai gjithashtu qëndron ndër 20 shkaqet kryesore të vdekshmërisë nga kanceri.
Mbi 100,000 raste të reja të melanomës u raportuan në vitin 2022 – shumica e tyre në të rriturit e moshave 45-69 vjeç – duke çuar në mbi 15,000 vdekje.
Burrat kanë më shumë gjasa të zhvillojnë melanoma sesa gratë. Një në çdo 74 gra ka një rrezik gjatë jetës (mosha 0-74) për të zhvilluar kancer të lëkurës, krahasuar me një në çdo 66 burra.

Diagnostikim

Një mënyrë e thjeshtë për të kujtuar karakteristikat e zakonshme të melanomës është të mendoni në mënyrë alfabetike – ABCDE-të e melanomës. ABCDE nënkupton asimetrinë, kufirin, ngjyrën, diametrin dhe evoluimin. Këto janë karakteristikat e dëmtimit të lëkurës që mjekët kërkojnë kur diagnostikojnë dhe klasifikojnë melanomat.
Asimetria – Melanoma është shpesh asimetrike, që do të thotë se forma nuk është uniforme. Nishanet jo kanceroze janë zakonisht uniforme dhe simetrike në formë.
Kufiri – Melanoma shpesh ka kufij që nuk janë të përcaktuar mirë ose janë në formë të çrregullt, ndërsa nishanet jo kanceroze zakonisht kanë kufij të lëmuar dhe të përcaktuar mirë.
Ngjyra – Lezionet e melanomës shpesh janë më shumë se një ngjyrë ose hije. Nishanet që janë beninje janë zakonisht një ngjyrë.
Diametri – Rritjet e melanomës janë normalisht më të mëdha se 6 mm në diametër, që është rreth diametrit të një lapsi standard.
Evolucioni – Melanoma shpesh do të ndryshojë karakteristikat, të tilla si madhësia, forma ose ngjyra. Ndryshe nga shumica e nishaneve beninje, melanoma ka tendencë të ndryshojë me kalimin e kohës. Nëse keni një nishan ose rritje të lëkurës, shikoni për shenja ndryshimesh. Nëse vëreni ndonjë nga ABCDE-të e melanomës, caktoni menjëherë një takim për t’u vlerësuar nga një dermatolog.