Çmimi i kakaos u rrit në 3,170 dollarë për ton metrikë, më i larti që nga viti 2016.
Ky zhvillim i atribuohet fenomenit të motit El Nino, i cili pritet të sjellë reshje nën mesataren dhe erëra të forta në Afrikën Perëndimore, ku kultivohet kryesisht kakao. Bregu i Fildishtë dhe Gana përbëjnë mbi 60% të prodhimit të kakaos në botë.
“Tregu i kakaos tregoi një rritje të dukshme të çmimeve. Ky sezon është i dyti radhazi që tregu është në deficit, me rezervat e kakaos që pritet të bien në nivele jashtëzakonisht të ulëta”, tha për CNBC analisti i S&P Global Commodity Insights, Sergey Chepkerakov.
Chepkerakov vlerëson se tregu mund të shfaqë një tjetër deficit në sezonin e ardhshëm, i cili do të zgjasë nga tetori deri në shtator të vitit të ardhshëm. Dhe kjo do të thotë që çmimet e së ardhmes së kakaos mund të kërcejnë më tej, duke arritur në 3600 dollarë për ton metrikë.
“Unë mendoj se konsumatorët duhet të përgatiten për mundësinë e çmimeve më të larta të çokollatës”, tha analisti për CNBC, pasi prodhuesit e çokollatës janë të detyruar të kalojnë kostot më të larta të prodhimit tek konsumatorët, ndërkohë që mundohen nga rritja e kostove të lëndëve të para, rritja e kostove të energjisë dhe rritja e normave të interesit.
Një kosto e rëndësishme për prodhimin e një çokollate është edhe gjalpi i kakaos, i cili gjithashtu tregon një rritje prej 20.5% të çmimeve që nga fillimi i vitit. Sheqeri, një tjetër përbërës kyç i çokollatës, është gjithashtu në rritje, me çmimin e tij që ka arritur një nivel më të lartë në 11 vjet në prill.