Kuriozitete

‘Mendon për mua… të dua’/ Zbulohen mesazhe dashurie dhe lufte të vikingëve

Mbishkrime runike nga epoka vikinge vazhdojnë të dalin në dritë në Suedi edhe pas 1000 vjetësh, duke zbuluar histori personale dashurie, humbjeje dhe betejash, të gdhendura në gur.

Një gur i zakonshëm në një fermë në jug të Stokholmit ishte menduar të përdorej si prag dere. Por kur u kthye përmbys, zbuloi rreshta shenjash të lashta: runa vikinge. Thirrur në vendngjarje, eksperti suedez i runeve, Magnus Källström, lexoi me zë të lartë një mesazh që nuk ishte dëgjuar prej afro 1000 vjetësh:

Zbulime të tilla nuk janë të rralla në Suedi dhe vendet e tjera skandinave. Gurë runikë dalin në pah gjatë punimeve në ara, ndërtimit të rrugëve apo korsive të biçikletave. Disa prej tyre datojnë deri në 2.000 vjet më parë, si një gur i zbuluar në Norvegji në vitin 2023.

Me kalimin e shekujve, shumë gurë janë përdorur si material ndërtimi, janë thyer për themele shtëpish apo janë mbuluar nën pragje kishash, pa u kuptuar vlera e tyre historike.

Fjala runë vjen nga norvegjishtja e vjetër rún, që do të thotë “sekret”. Shkrimi runik u shfaq në Europën Veriore rreth 2 mijë vjet më parë dhe përbëhej nga 24, më vonë 16 shkronja. Ai u përdor nga vikingët për të shkruar mesazhe në dru, kockë, vegla pune dhe sidomos në gurë.

Runat nuk shërbenin vetëm për përkujtim. Janë gjetur edhe mesazhe dashurie, shaka, enigma dhe lojëra fjalësh. Një mbishkrim i shekullit XI thotë: Mendon për mua, mendoj për ty, më do, të dua.

Gurët runikë shërbenin kryesisht si gurë përkujtimorë, të vendosur në vende publike ku kalonin njerëzit. Sipas studiuesve, ata funksiononin si një formë komunikimi publik, aq sa janë quajtur “rrjetet sociale të epokës vikinge”.

Megjithatë, porositja e një guri ishte e kushtueshme dhe zakonisht bëhej nga familje me status shoqëror. Shumë prej tyre u ngritën në periudhën kur krishterimi po përhapej në Skandinavi dhe përmbajnë kryqe apo lutje për shpirtin e të ndjerit.

Sot njihen rreth 7 mijë mbishkrime runike në botë, të gjetura nga Skandinavia deri në Britaninë e Madhe, Grenlandë e madje Turqi. Njëri prej më të famshmëve është guri i Rökut në Suedi, me tekstin runik më të gjatë në botë.

Studiuesit besojnë se ky gur nuk flet vetëm për mite dhe heronj, por edhe për frikën nga moti ekstrem dhe ndryshimet klimatike, një shqetësim që, sipas tyre, ka ekzistuar shumë kohë përpara botës moderne.

Edhe sot, runat përdoren në art, dizajn dhe kultura popullore, por kanë edhe një anë të errët: përvetësimin nga ideologji ekstremiste. Megjithatë, për studiuesit, ato mbeten mbi të gjitha dëshmi të jetës së përditshme të njerëzve që jetuan një mijë vjet më parë.

Guri i zbuluar nga fermeri tashmë është vendosur në një hapësirë publike dhe është i ekspozuar për vizitorët. Mesazhi i tij, i heshtur për një mijëvjeçar, po lexohet sërish si një zë i largët që ende ka diçka për të thënë.

Të Ngjashme