Lajme

“Mërgata si arbitër që ndan drejtësi”/ E thotë Driton Tali: Listat zgjedhore, faktori vendimtar i zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Dje ka përfunduar afati për paraqitjen e koalicioneve zgjedhore në KQZ, ku janë deklaruar gjithsej tre koalicione.

Ndër to është edhe koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga katër parti: GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Analisti Driton Tali në një prononcim për “Bota sot”, thotë se koalicionet e fundit tregojnë sa shumë ka ndryshuar skena politike.

Image
Driton Tali

Sipas tij, partitë nuk mund të shihen me “syzet e vjetra”, sepse pozicionet e tyre kanë evoluar – LVV nuk është më si në vitin 2010, LDK e Abdixhikut nuk është ajo e Rugovës apo Isa Mustafës, dhe PDK me Bedri Hamzën është një tjetër formë.

Ai përmend afrime të reja që dikur dukeshin të paimagjinueshme, si tentimi i Nismës me LDK-në, bashkimi i Zef Morinës me LVV-në dhe kalimet e ish-aktivistëve të LVV-së në PDK. Sipas tij, të gjitha këto tregojnë rikonfigurim të plotë të politikës.

“Këto koalicionet zgjedhore të fundit unë i shoh nga prizmi i zhvillimeve politike.

Siç jemi dëshmitarë, skena jonë politike ka pësuar ndryshime, sepse ndryshimi i pushtetit u ka imponuar ndryshime edhe vetë partive. Ta zëmë, LVV nuk mund të shihet apriori me “syzet e vitit 2010”, kur ishte në opozitë, ashtu sikurse kjo LDK e z. Abdixhikut nuk mund të shihet me “thjerrëzat e LDK-së së Rugovës” apo me ato të “LDK-së së Isa Mustafës” sa ishte në pushtet. Njëjtë vlen edhe për “PDK-në e z. Bedri Hamza”.

Kjo u pa edhe në atë se kush me kë po shkon dhe kush po i afrohet kujt. Për shembull, pavarësisht se Nisma dhe LDK nuk arritën t’i harmonizojnë ambiciet, vetë ideja e një afrimi të tillë ka qenë e paimagjinueshme në të kaluarën. Apo rasti i bashkimit të z. Zef Morina me LVV-në, i cili tradicionalisht ka qenë në aleancë me LDK. Po ashtu, largimi i ish-aktivistëve shumë të zhurmshëm të LVV-së, z. Eman Rrahmani dhe z. Visar Korenica, drejt PDK-së, e kështu me radhë”, thotë ai.

Tali thotë se sot listat zgjedhore janë çështja kryesore, sepse prej tyre po lindin pakënaqësi të brendshme dhe po ndikohet drejtpërdrejt vota.

Sipas tij, qytetarët nuk po votojnë më për tradita, figura historike apo liderë karizmatikë, por po i shikojnë kandidatët konkretë në listë dhe po i refuzojnë ata që konsiderohen të korruptuar apo pasivë.

Kurse sa i përket mërgatës, ai shton se po nënçmohet pa arsye, duke theksuar se ajo nuk është elektorat i askujt, por arbitër që vendos drejtësi, sepse ndërrimi i qeverive nuk prek jetën e tyre personale.

“Ajo që prej kohësh po bën bujë në zgjedhje — dhe me plot të drejtë — janë listat zgjedhore. Pra, jo vetëm koalicionet apo programet politike, por përmbajtja e listave. Sepse aty po lindin pakënaqësi të brendshme, kur individë me vlera anashkalohen për shkak të brrylave, por edhe kur partitë arrijnë të përfshijnë figura të respektuara të shoqërisë. I gjithë ky zhvillim pastaj po shprehet edhe në votë.

Në këtë kontekst vërehet edhe një ndryshim i qasjes së publikut ndaj partive — madje edhe ndaj kultit të individit. Shumë njerëz e shprehin qartazi: “Deri sot e kam votuar partinë X për traditën ‘rugoviane’, apo për ‘udhëheqësit e UÇK-së që na sollën lirinë’, apo për ‘Albinin e pakompromis’. Por kësaj radhe s’do ta votoj për këto arsye”, duke theksuar se vendimin ua përcakton përbërja e listës. Komentet e zakonshme janë të tipit: “Filani është i korruptuar”, “Fisteku s’ka fol kurrë në Kuvend, është deputet prej vitesh e zërin s’ia kam dëgjuar”, e kështu me radhë.

Sa i përket mërgatës, unë nuk e kuptoj pse nënçmohet kaq lehtë. Askush nuk ka monopol mbi mërgatën. Ajo është e Kosovës. Për më tepër, kushdo që krijon qeverinë, në jetën personale të mërgimtarëve nuk ndryshon asgjë. Partitë duhet ta shohin mërgatën si arbitër që ndan drejtësi, e jo thjesht si elektorat.

Prandaj të shohim tash se çfarë do të sjellin partitë me këto lista të reja” – përfundon ai për “Bota sot”.