Lajme

Mërgimtari humb jetën në vendin e punës, në Maltë

Bari Balla, është 51-vjeçari shqiptar, i cili humbi jetën në vendin e punës në Maltë. Shqiptari që jetonte në Ħaż-Żebbuġ, vdiq pasi një çati e një shtëpi e viteve 1920 në rrugën St Ignatius, ku ai po punonte, u shemb, përcjell albinfo.ch.

Një 31-vjeçar shqiptar, i cili është dhëndri i viktimës, mbeti i plagosur dhe pësoi lëndime të lehta. Balla, i cili ishte nga Librazhdi, prej dy vjetësh jetonte dhe punonte në Maltë. Ai festoi ditëlindjen dhjetorin e kaluar dhe ishte baba i gjashtë fëmijëve, ku më i vogli është vetëm 12 vjeç.

Paraditen e së shtunës një mur u shemb duke shkaktuar rënien e çatisë, ndërkohë që dy punëtorët shqiptarë po testonin vendin për të parë nëse mund t’u rezistonte punimeve të planifikuara.

Ndërsa kompanisë iu miratua leja nga Komisioni i Planifikimit, ata nuk mund të fillonin ende punimet derisa të kalonte periudha e hetimeve. Pas shembjes, Autoriteti i Ndërtimit lëshoi një deklaratë, duke thënë se punimet nuk ishin sanksionuar ende dhe kryheshin pa lejet e nevojshme.