Lajme

Merret verdikti final në Hagë: Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burg, Veseli 18 e Selimi 13

16.09.2026 – 11:42

Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet burgim

Trupi gjykues e ka dënuar Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim.

Jakup Krasniqi shpallet fajtor për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

16.09.2026 – 11:42

Rexhep Selimi shpallet fajtor nga trupi gjykues në Hagë – 13 vjet burg

Pas më shumë se pesë vitesh nga arrestimi i tij, Rexhep Selimi është shpallur fajtor nga trupi gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndonëse gjatë gjithë procesit të stërzgjatur gjyqësor, Selimi kishte thënë se ka luftuar që Kosova të jetë e lirë dhe nuk është penduar për asnjë ditë që e kishte kaluar në fronte të luftës, madje edhe po të ishte vendi sot në luftë, do të ishte duke luftuar, trupi gjykues në krye me Charles Smith III, e shpallën fajtor me 13 vjet burgim.

Arrestimi i Selimit kishte ndodhur në nëntor 2020, ndërsa gjykimi filloi në prill 2023.

Rexhep Selimi u transferua në paraburgim në Hagë në nëntor 2020. Gjatë gjithë procesit, ai u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave.

16.09.2026 – 11:40

18 vite burgim për Kadri Veselin

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë dënuar me 18 vite burgim ish kryekuvendarin, Kadri Veselin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues ka paraqitur edhe vlerësimet e tij lidhur me pozitën dhe rolin e Veselit.

Sipas konstatimeve të trupit gjykues, Veseli kishte keqpërdorur pushtetin dhe pozitën që kishte, duke e përdorur atë, sipas gjykatës, për qëllime kriminale.

Në përcaktimin e dënimit, trupi gjykues ka marrë parasysh edhe rrethanat personale të Veselit dhe sjelljen e tij gjatë procesit gjyqësor.

Sipas gjykatës, Veseli ka treguar sjellje të mirë gjatë gjithë procesit, me përjashtim të një rasti të veçantë. Gjykata ka marrë parasysh gjithashtu faktin se ai iu dorëzua vullnetarisht Dhomave të Specializuara.

16.09.2026 – 11:30

Thaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vite burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e njohur ndryshe si Gjykata Speciale.

Trupi gjykues ka shpallur sot aktgjykimin ndaj Thaçit dhe bashkëakuzuarve të tij, pas një procesi gjyqësor disa vjeçar.

Thaçi është shpallur fajtor për akuzat për të cilat trupi gjykues ka konstatuar përgjegjësi penale.

Në këtë proces, Thaçi përballej me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë: përndjekje, burgosje, veprime ç’njerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë

Vendimi i shpallur sot është aktgjykim i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të ushtrohen mjetet juridike të parapara me ligj.

Të Ngjashme